
Dje, në Nju Jork nisi debati më i madh i Kombeve të Bashkuara, për njohjen e shtetësisë së palestinezëve, ku Presidenti Obama kërkoi nga palestinezët ta shtyjnë kërkesën e tyre, pasi të kenë zgjidhur çështjet e diskutueshme me Izraelin në negociata të reja. Kreu palestinez, Mahmoud Abas, tha se të premten do të kërkojë njohjen e shtetësisë për Palestinën, që ajo të bëhet vendi i 194-t i OKB-së, me gjithë kundërshtimin e SHBA-së, Izraelit dhe disa vendeve perëndimore. Deri tani, nga të fuqishmit e Këshillit të Sigurimit, vetëm Rusia është deklaruar pro kërkesës palestineze. Presidenti amerikan, Barak Obama, ka deklaruar dje në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kundërshtinë e tij për kërkesën e palestinezëve, ndërkohë që ai e ka përshëndetur të ashtuquajturën “pranverë arabe”, revolucioni që rrëzoi liderët autokratë në shumë vende të Lindjes dhe Afrikës Veriore. “Paqja nuk do të vijë nëpërmjet deklaratave dhe rezolutave në OKB”, tha Obama, duke iu adresuar liderëve në Asamblenë e Përgjithshme. “Nëse do të ishte kaq e thjeshtë, do të ishte përmbushur tashmë”, shtoi ai. Por Obama tha se komuniteti internacional duhet të vazhdojë të nxisë izraelitët dhe palestinezët në bisedime për katër çështjet e vështira të “statusit final”, që kanë penguar negociatat e paqes që nga viti 1979: kufijtë e shtetit palestinez, sigurinë për Izraelin, statusin e refugjatëve palestinezë që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Izrael, dhe fatin e Jerusalemit, të cilin të dyja palët e deklarojnë kryeqytetin e tyre. Kreu palestinez, Mahmoud Abas, i ulur në sallë, gjatë fjalimit kishte mbështetur ballin në njërën dorë. Kjo është hera e tretë që nën mandatin e Obamës, takimi vjetor i Asamblesë së Përgjithshme ka shërbyer për të vënë nën fokus kompleksitetin e konfliktit izraelito-palestinez, në një lehtësim të zymtë. Krahas Presidentit të SHBA-së, edhe ai francez Nikolas Sarkozi do të kërkojë që autoriteti palestinez ta tërheqë kërkesën e tij. Fjalime priten edhe nga Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, dhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle.
Protesta
Mijëra njerëz janë mbledhur në Bregun Perëndimor, në mbështetje të kërkesës palestineze për t’iu bashkuar Kombeve të Bashkuara, si shteti i 194-t anëtar. Tubimi ka nisur në Ramallah dhe do të zgjerohet në Nablus, Hebron e Betlehem.











