Genti Berisha, 27-vjeçari shqiptar i ndaluar për vdekjen e efektivit të Policisë Lokale të Milanos, Francesco Imprezzabile, ka marrë përgjegjësinë e plotë për ngjarjen tragjike.

Kështu ka deklaruar avokati i tij, Fabrizio Cardinali, duke theksuar se klienti i tij e pranoi se ishte ai në timonin e automjetit SUV me qira që mbrëmjen e së hënës nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, duke shkaktuar ndjekjen që përfundoi me aksidentin fatal të efektivit.
Sipas avokatit, Berisha e ka cilësuar arratisjen si një veprim instinktiv dhe të pamenduar mirë.
“Ai ka marrë përgjegjësinë e plotë për këtë gjest instinktiv dhe të papërgjegjshëm, duke e vlerësuar gabim situatën si një person i papjekur”, u shpreh Cardinali.
Avokati bëri me dije se arsyeja pse 27-vjeçari nuk ndaloi ishte se në automjet kishte rreth 3 gramë marijuanë.
“Me tre gramë marijuanë nuk do të kishte ndodhur asgjë”, tha ai, duke shtuar se klienti i tij është “thellësisht i penduar dhe emocionalisht shumë i tronditur”.
Sipas mbrojtjes, Berisha synon të kryejë një gjest riparues ndaj familjes së viktimës, brenda mundësive të tij, ndërsa avokati do t’i kërkojë gjykatës zëvendësimin e masës së sigurisë me arrest shtëpie.
Lidhur me personat e tjerë që ndodheshin në automjet, Cardinali sqaroi se klienti i tij ka deklaruar se në makinë ndodheshin një mik dhe disa shokë të tij. Ai është shprehur i gatshëm të japë identitetin e tyre nëse do të jetë e nevojshme për hetimet.
“I kam vënë tashmë në rrezik me këtë veprim dhe nuk dua që të përfshihen më tej, sepse isha unë ai që mora vendimin për t’u larguar. Ata nuk patën asnjë ndikim në zgjedhjen time”, citohet të ketë thënë Berisha.
Avokati shtoi se 27-vjeçari punon në një lavazh dhe se vetëm tani po e kupton peshën e asaj që ka ndodhur.
“Kjo është një tragjedi. Tani ai e kupton se, po të kishte arsyetuar, nuk do të ishte larguar. Madje nuk e kishte kuptuar që polici kishte rënë gjatë ndjekjes; ai vazhdoi të largohej pa e kuptuar çfarë kishte ndodhur”, deklaroi Cardinali.
Sa i përket faktit që Berisha nuk u dorëzua menjëherë, avokati shpjegoi se mëngjesin pas ngjarjes ishte kontaktuar nga babai i tij, i cili ndodhej në Shqipëri. Sipas tij, i riu po përpiqej ta kontaktonte për t’u paraqitur së bashku në polici.
“Nëse do të kishte dashur të arratisej, nuk do ta kishin gjetur në shtëpi”, përfundoi avokati i 27-vjeçarit.
© Panorama.al











