Flamurtari dhe Skën-derbeu kanë fituar duke ruajtur distancën me njëra-tjetrën, por edhe me ndjekësit më të afërt. Ndërkohë që Teuta dhe Besa komplikojnë mbijetesën.Flamurtari zgjati rekordin e tij të serisë prej 13 fitoreve, në po aq ndeshje të zhvilluara në shtëpi, duke fituar 3-0 me Besën. Të njëjtin rekord nuk e ka prishur as Skënderbeu, i cili sigloi fitoren po të 13-të në fushën e tij në kampionat ndaj durrsakëve. Në Vlorë protagonist ishte Progni, i cili shënoi dy gola fantastike kundër kavajasve. Ndeshja ishte e gjitha nën dominimin absolut të Flamurtarit, nisur edhe nga kualitetet në fushë, si dhe renditjet e dy skuadrave. Seria e golave nisi me autogolin e Akil Jakupit në minutën e 27-të, dhe përfundoi me dy shënjestrat e Prognit. Kurse në Korçë, vendësve iu desh të prisnin të 88-ën minutë për të parë golin e Vishajt. Edhe pse dominuan totalisht, skuadra e Duros vuajti shënimin e golit.
Ndërsa në Tiranë, një kryevepër e Jahmir Hykës bëri që bardheblutë të triumfonin ndaj Shkumbinit. Mesfushori i Kombëtares shënoi një eurogol nga një distancë prej 18 metrash, falë një goditje dënimi. Kjo ishte fitorja e parë e Tiranës pas gjashtë javësh thatësire dhe e para për Misho Kërstiçeviç në kampionat. Disa kilometra më larg, Laçi rikonfirmoi vendin e katërt në Superligë, pas fitores (1-0) me rivalin direkt, kampionen ende ne fuqi, Dinamon. Fatin e takimit e vendosi Stipe Buljan, i cili realizoi në minutën e 90-të me një gjuajtje brenda zonës pas një asisti nga Shazivari. Për Dinamon, tani e gjashta në renditje, kjo ishte humbja e 9-të sezonale. Kur kanë mbetur edhe 8 ndeshje nga përfundimi i sezonit (24 pikë në lojë), Dinamo (36 pikë) ka një diference prej 19 pikësh me Flamurtarin e vendit të parë. Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Kastriotin, një ndeshje që duket se e kishte marrë lehtë. Sukaj shënoi në një kundërsulm në minutën e fundit të pjesës së parë, ndërsa krutanët iu kundërpërgjigjën me një perlë nga goditja e dënimit nga ana e Muçollarit. Për Vllazninë (44 pikë) ky ishte barazimi i 8-të sezonal dhe i dyti rresht, pas atij me Teutën një javë më parë.
Superiore/ Java 25
Të shtunën
Elbasani-Bylis 0-2
Gega 21′, Abazaj 85′
Dje
Flamurtari-Besa 3-0
Jakupi 27′ (autg), Progni 54′, 89′
Vllaznia-Kastrioti 1-1
Sukaj 44’/ Muçollari 85′
Tirana-Shkumbini 1-0
Hyka 63′
Laçi-Dinamo 1-0
Buljan 90′
Skënderbeu-Teuta 1-0
Vishaj 88′
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H P
1. Flamurtari 25 18 1 6 55
2. Skënderbeu 25 16 4 5 52
3. Vllaznia 25 12 8 5 44
4. Laçi 25 12 4 9 40
5. Tirana 25 9 10 6 37
6. Dinamo 25 10 6 9 36
7. Kastrioti 25 7 9 9 30
8. Shkumbini 25 8 5 12 29
9. Teuta 25 7 7 11 28
10. Bylis 25 8 3 14 27
11. Besa 25 5 8 12 23
12. Elbasani 25 4 3 18 12
Shënim: Elbasani, minus 3 pikë në renditje, i dënuar nga FIFA për shkak të çështjes “Darko Periç”.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











