Njeriu i Hitlerit në ’39-n: Çiano më ftoi të gjuanim rosa të egra në Shqipëri

Mar 15, 2011 | 11:25

Në dëshmitë e krahut të djathtë të Hitlerit para gjykatësve të Nurembergut, përmendet edhe një takim i tij me Çianon në vigjilje të pushtimit të vendit tonë nga fashizmi.“Ai më ftoi të shkonim në Shqipëri për të gjuajtur rosa të egra, kujtonte Ribentrop, ish- ministër i Jashtëm i Gjermanisë naziste, por unë i thashë vjeshtën tjetër. Atëherë Çiano m’u përgjigj: Besoni se do kemi ende kohë? Për aq sa më tha Fyhreri, kam frikë se deri atëherë, me siguri do bëjmë gjueti të ndryshme nga ajo e rosave!”  Ky fakt domethënës i nënvizuar në kujtimet e Ribentropit, “Planet e Hitlerit për Ballkanin”, botuar së fundi edhe në Shqipëri, paralajmëronte fillimin e luftës dhe parakuptonte jo thjeshtë gjuetinë e rosave në “Tokën e shqiponjave”. Njeriu i Hitlerit i kryqëzuar përpara togave të zeza të Nurembergut, risjellë historinë e luftës me mënyrën si e ka përjetuar, pa fshehur përgjegjësitë dhe perceptimin e vet mbi zhvillimet dramatike dhe tragjeditë e tmerrshme të epokës hitleriane. Ai u bë pjesë e këtij procesi regresiv qysh në fillesat e tij dhe mbeti rob i mentaliteteve ekstremiste nacionaliste, duke përcjellë të gjitha zhvillimet agresive të Gjermanisë naziste në periudhën 1933-1945. Nga ky moment e deri në fitoren e aleatëve të koalicionit antifashist, Ribentropi mbajti poste të larta shtetërore si sekretar shteti, ambasador dhe ministër i Jashtëm. Kujtimet e tij janë një retrospektivë e pasur e ngjarjeve më të rëndësishme të Luftës së Dytë Botrore. Në to shfaqen nga një këndvështrim i veçantë personalitetet më me zë të kohës, si Hitleri, Gëbelsi, Himleri, Geringu, Bormani (Gjemani), Çërçilli, Çamberleni dhe Ideni (Angli), Daladie e Bartu (Francë), Stalini e Molotovi (Bashkimi Sovjetik), Shushingu (Austria)etj. Te “Planet e Hitlerit për Ballkanin”, Ribentropi vetzbulohet si arkitekt dhe zbatues i ndërgjegjshëm i diplomacisë agresive fashiste, për të cilat u ndëshkua me dënimin kapital në procesin e Nurembergut, si armik i njerëzimit, i lirisë dhe i pavarësisë së popujve. Ky ishte fundi logjik i njeriut që ndonëse me kulturë të admirueshme, trashëgues i përkryer i etikës qytetare, njohës i thellë i funksionimit të administratës shtetërore, zotërues i mjaft gjuhëve të huaja, mjeshtër i sekreteve të diplomacisë, por që nuk i kuptoi asnjëherë vlerat e lirisë dhe gjithë energjitë i vuri në shërbim të totalitarizmit. Gjithsesi, kujtimet e Ribentropit hedhin dritë në aspekte të ndryshme të rrjedhës historike të gjysmës së parë të shekullit XX dhe veçanërisht të rrethanave si u përgatit dhe shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, e cila i kushtoi aq shumë njerëzimit. Natyrisht që Ribentropi jep botën e tij, mbron idetë dhe veprimet naziste, përligj agresionin, pavarësisht pretendimeve se nuk kishte dijeni për shumë masa të shtetit fashist, apo se në disa raste kishte paraqitur edhe dorëheqjen. Sidoqoftë, ai u fut në histori si kalorës i luftës, i agresionit dhe totalitarizmit, si armik i lirisë dhe demokracisë…
PJESE NGA LIBRI
E njëjta gjë ndodhi edhe me Ditarin e kontit Çiano, ish-ministrit italian të Punëve të Jashtme; i pagëzuar me etiketimin P.S. 2989. Ky ditar është përdorur për të provuar se unë kam marrë pjesë në komplotin kundër paqes.
Pavarësisht nga kërkesat e përsëritura të avokatëve të mi mbrojtës, origjinali i këtij ditari nuk është paraqitur në Nuremberg. Megjithatë, e di se kanë ekzistuar të paktën dy blloqe të shkruara nga Çiano, njërin prej tyre e kam parë më 1943, tek Fyhreri. Origjinali i këtij ditari me siguri nuk e përmbante fjalinë: “Ne duam luftën”, që gjoja unë e paskam thënë në Berchtesgaden përpara Çianos, më 12 prill 1939; nga ana tjetër, në të ka edhe mendime kundër Japonisë, që unë ia paskam shprehur atij. Në fakt, në atë kohë, 1943, po bëhej hetim rreth tradhtisë së Çianos dhe i akuzuari nuk mungonte ta përdorte ditarin e tij për të bërë shantazh. Madje i kishte bërë të ditur Fyhrerit se një kopje ndodhej në duart e një prej miqve të tij, ambasadorit të Spanjës në Romë, dhe se ky do ta botonte tekstin menjëherë, po qe si i ndodhte gjë vetë Çianos.
Megjithatë, një gjë është e sigurt: një ditar i kontit Çiano është falsifikuar. Është e pamundur të dihet se me cilin dorëshkrim përputheshin fotokopjet e bëra në Nuremberg.
Po ashtu, nuk është e sigurt që teksti i fotokopjuar ka qenë i hartuar nga dora e Çianos; vërtetohet vetëm saktësia e përkthimit, por jo vërtetësia e ditarit. Nëse fotokopjet e treguara në Nuremberg janë vërtet faksimilet e shënimeve të marra nga Çiano, kjo tregon se ai nuk e mbante ditarin ditë për ditë, por që e shkruante atë për aq sa mbante mend ditën kur ulej për të shkruar. Kështu, për shembull, shënimet e datuara më 3 dhe 4 dhjetor 1941 i referohen fakteve që janë zhvilluar më pas, në datën 8 të po atij muaji. Atëherë, si mund të thuash që ky ditar na qenka provë se unë paskam pasur për qëllim dhe për synim ta nxisja Gjermaninë për shpalljen e luftës kundër Polonisë?
Gjithçka të bën të mendosh se Çiano e ka rimanipuluar më pas tekstin e tij, duke e falsifikuar vetë, për të krijuar një alibi dhe për të dalë si përkrahës i paqes, ndryshe nga “luftënxitësit”, në këtë rast Hitleri dhe unë, sipas tij. Në variantin e parë, është më se e qartë se ai ende nuk i kishte shtuar ato paragrafë; në atë kohë bëhej fjalë që ai të krijonte një garanci, në rast se në vendin e tij i ndodhte ndonjë fatkeqësi, për shkak të lojës së dyfishtë që bënte prej vitesh. Sepse, është e pamohueshme që Çiano ka pasur gjithnjë kontakte me armiqtë e Boshtit. Mungesa e çiltërsisë nga ana e tij, nuk ia lehtësonte as lidhjet personale, as marrëdhëniet e punës. Mënyra sesi e tradhtoi ai në korrik 1943 vetë vjehrrin e tij, flet qartë për tipin që kishte. Duçja më ka thënë se dhëndri e kishte mashtruar më shumë se kushdo dhe këtë e kishte bërë prej vitesh. Duke qenë përgjegjës për korrupsionin e partisë fashiste, ai e instrumentalizoi atë deri në shpërbërje.
Në variantin e paraqitur në Nuremberg, mënyra sesi u parashtruan bisedimet që unë kam pasur me Çianon në Berchtesgaden, më 12 e 13 gusht 1939, bie ndesh me të vërtetën. Pas konfliktit që u quajt “greva e doganorëve të territorit të Dantzigut”, Fyhreri më ngarkoi t’i shpjegoja Çianos ashpërsimin në kulm të tensionit gjermano-polak; Fyhreri nuk mund t’i duronte gjatë provokimet polake dhe ishte e domosdoshme që Polonia ta përcaktonte përfundimisht qëndrimin e saj ndaj Gjermanisë.
Një ujdi me Rusinë ishte më se e mundshme më 12 gusht 1939. Fakti që Italia – me pozitë ende të fortë ndërkombëtare dhe e drejtuar nga Musolini – ishte një aleate e sigurt, miqësia me Japoninë dhe perspektiva e një afrimi gjermano-rus, të gjitha këto bënin të mundur të shpresohej se Polonia do të pranonte një zgjidhje me mirëkuptim për mosmarrëveshjen gjermano-polake. E rëndësishme ishte që Britania e Madhe, të kuptonte se Fyhreri ishte i vendosur të merrej vesh me Poloninë.
Pra, ishte në interesin tonë që Çiano të bindej se vendimi i Fyhrerit ishte i pakthyeshëm, me qëllim që ta njoftonte për këtë Musolinin, duke pasur parasysh kureshtjen e njohur të Oborrit dhe të qarqeve qeveritare italiane. Sikur Hitleri te ishte shfaqur i pavendosur për një çast, qeveritë e Londrës e të Versajës menjëherë do të viheshin në dijeni nga ana e kureshtarëve dhe kështu zgjidhja diplomatike e mosmarrëveshjes gjermano-polake do të bëhej e pamundur. Ja pse Fyhreri më kishte dhënë udhëzime të sakta: Çiano nuk duhej të ushqente asnjë iluzion. E megjithatë, unë kurrë nuk e kam thënë fjalinë: “Ne duam luftë”. Dhe, çuditërisht, këto fjalë nuk figurojnë veçse në parathënien e ekzemplarit të ditarit që u paraqit në Nuremberg. Pra, pa dyshim, bëhet fjalë për një shtesë të mëvonshme. Dhe ndoshta nuk është as e vetë Çianos.
Më kujtohet fare mirë se çfarë i thashë Çianos me këtë rast. Fyhrerit i ka ardhur në majë të hundës nga provokimet polake dhe Polonia duhet t’i mbajë përgjegjësitë e veta; duhet që Dantzigu t’i kthehet Gjermanisë. Propozimet tona ishin të arsyeshme, por gjendja ishte aq e rëndë, sa polakët donin të na vinin në Dantzig përpara faktit të kryer. Pra, Fyrheri ishte i vendosur për ta zgjidhur çështjen polake, në një mënyrë apo në një tjetër. Duhej t’ia bëja të qartë Çianos – përpara se të fillonte bisedimet me Hitlerin dhe me kërkesë të këtij të fundit – se gjendja ishte e rëndë. Pas takimit të tij me Hitlerin, iu luta Çianos të hiqte dorë nga ideja e botimit të një komunikate, dhe i thashë se shpresoja të gjeja një zgjidhje diplomatike, pikërisht për shkak të qëndrimit të vendosur të Fyhrerit.
Me sa duket, Çiano ishte i pakënaqur për çfarë i tha Fyhreri, megjithatë nuk bëri asnjë kundërshtim dhe u mjaftua të deklarojë se, po qe se shpërthente një konflikt, Italia nuk do të ishte e gatshme; nga halli, m’u desh të këmbëngulja te Çiano, që Italia të na jepte edhe një provë të re miqësie, pas dy rasteve kur Musolini ishte rreshtuar përkrah Gjermanisë, gjatë çështjes austriake, dhe më pas me rastin e krizës sudete.
Çiano pretendon se unë kam qenë “dashakeq”, ngaqë shpesh kisha “gënjyer” kur i kisha paraqitur synimet gjermane; sipas tij, atë ditë unë kam pasur vetëm një qëllim: si e si “t’i shpjegoja se çfarë po kurdisja”. Ky arsyetim është i pabazuar dhe kurrë nuk ia kam fshehur Çianos gjendjen e tensionuar. Vazhdimisht ia kam shprehur vullnetin e Gjermanisë për ta zgjidhur paqësisht konfliktin. Por ajo që Çiano nuk thotë, është se që nga muaji mars 1939 ai ishte më së miri në dijeni të prishjes së marrëdhënieve gjermano-polake dhe se nuk mund t’i mohojë deklaratat e bëra nga të dyja palët; një fakt i kryer në Dantzig do të thoshte një casus belli.
Një episod i veçantë u shënua përpara se Çiano të largohej. Më kishte ftuar për gjueti të rosave të egra në Shqipëri, duke u ndarë në platformën e stacionit të trenit, iu përgjigja se e pranoja me gjithë dëshirë ftesën e tij, por për vjeshtën e ardhshme. Atëherë Çiano m’u përgjigj: “Besoni se do kemi ende kohë? Për aq sa më tha Fyhreri, kam frikë se deri atëherë me siguri do bëjmë gjueti të ndryshme nga ajo e rosave!”
Dhe pikërisht, një vepër propagande si ajo e ambasadorit Hendersonit dhe një ditar i falsifikuar si ai i kontit Çiano, tani na shfaqen si “dokumente” në Nuremberg. Sigurisht që nuk kanë bindur askënd, por na paskan shërbyer si “prova” ndaj meje.

Ribentrop: Unë, pjesë e atyre që dërrmoi mokra e historisë

“Më në fund gjyqi e dha verdiktin e vet fatal. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Këto janë çastet e fundit. Unë sot bëj pjesë ndër ata që u dërrmuan nga mokrat e historisë.” Në çastet para ekzekutimit, Ribentrop, krahu i djathtë i Hitelerit, kujtohet t’u adresojë familjarëve mesazhe në formë testamenti. Në letrat për gruan dhe fëmijët, krahas bindjes për fatin që e priste, nuk harron t’u tregojë se ishte përpjekur të bënte më të mirën e mundshme, në interes të forcimit të Gjermanisë me rrugë paqësore, por shefi i tij, tashmë i vdekur, preferoi forcën e armëve, çka solli dhe shkatërrimin e saj.  “Doja ta ndihmoja Adolf Hitlerin, i shkruan ish-kreu i diplomacisë gjermane bashkëshortes, por Fyhreri dhe populli i tij dështuan; miliona njerëz ranë dhe kombi ynë u mund. A nuk është e drejtë që edhe unë të bie, jo thjesht prej vendimit të Nurembergut, por në emër të një drejtësie të lartë. Jam gati për këtë, çfarëdo që të ndodhë, do të shkoj me kokën lart…”

Për Anneliz fon Ribentrop
5 tetor 1946/ Gjithë bota e di se vendimi është i pajustifikueshëm. Isha ministër i Punëve të Jashtme të Adolf Hitlerit dhe ja ku politika e do që unë ta shoh veten të dënuar. E, për fat të keq, dëshmitari kryesor këtu ka vdekur. Nëse ai do të mund ta jepte dëshminë e tij, vendimi i dhënë kundër meje do të binte vetvetiu. Por duhet ta mbaj veten e të pësoj fatin e shokëve, të një personaliteti po aq të fuqishëm e po aq demoniak sa ç’ishte Adolf Hitleri…
Shumë gjëra e ngjarje ishin produkt i fatalitetit. Kur Adolf Hitleri e pa se ishte e pamundur të realizohej ideja e tij fillestare (krijimi i një Rajhu të fuqishëm që do t’i gruponte rreth vetes të gjithë gjermanët, mbështetur nga një aleancë gjermano-angleze), atëherë ai kërkoi ta realizojë dhe ta mbështesë idenë e tij, duke i hyrë mjeteve ushtarake. Dhe kështu bëri një mori armiqsh. Edhe unë doja një Gjermani të fuqishme dhe shpresoja t’ia arrija gradualisht, me rrugë bashkëbisedimesh në favor të forcimit të Rajhut. Dhe pyes veten se sa kam qenë vallë në gjendje që t’i imponoja pikëpamjet e mia? Por, sidoqoftë, më shumë nga sa kam bërë, nuk do kisha mundur të bëja!
Përpara gjyqit preferova të mos thosha asgjë për divergjencat serioze që kam pasur me Adolf Hitlerin. Përndryshe, dhe me të drejtë, populli gjerman do thoshte: “Ja një njeri që, pasi ka qenë ministër i Punëve të Jashtme të Hitlerit, kthehet kundër tij për oportunizëm, tani që po del në gjyq përpara një gjykate të huaj”. Edhe pse kjo është një provë për ne të dy e për fëmijët tanë, ti duhet ta kuptosh. Por, as që do kisha mundur e as do kisha dashur të jetoja, nëse gjermanët e vërtetë nuk do më kishin respektuar dhe nëse do kisha pasur turp nga vetja ime…
Për Anneliz fon Ribentrop
6 tetor 1946/ Nëna jote më ka thënë një herë se shpresonte që një ditë unë do bëhesha një Talleyrand. Ti e di që intriga të këtij lloji nuk do ishin në dobi të askujt, në mos të Hitlerit. Thjesht mendimi, që qoftë edhe një ushtar i vetëm gjerman do të bëhej viktimë makinacionesh të ngjashme, do të ishte për mua i patolerueshëm. Kundërshtarët tanë ishin të vendosur të mos pranonin nga askush një kapitullim pa kushte, dhe një manovër e këtij lloji do ta kishte shkaktuar fatalisht shembjen e Gjermanisë. Kurrë nuk do mund të merrja mbi vete një përgjegjësi të tillë. Ja përse sot bëj pjesë ndër ata që u dërrmuan nga mokrat e historisë…
Për Anneliz fon Ribentrop
8 tetor 1946/ Psikoza e llahtarshme e sotme, pasojë e disfatës, trondit mjaft ndërgjegje. Megjithatë, e mira që mundëm t’u bëjmë disave këto vitet e fundit, nuk është asgjë përpara asaj që po bëjnë ata për ne sot. Nuk ka krahasim të mundshëm; atëherë ne nuk rrezikonim asgjë, kurse sot, ata që marrin anën tonë, rrezikojnë shumë. Kjo do ndryshojë me kohë, por tani është një fakt.
Për Rudolf fon Ribentrop
14 tetor 1946/ I dashuri im Rudolf, po shkoj drejt vdekjes, duke ditur që kam bërë detyrën time si patriot gjerman. Për aq sa Hitleri pranonte këshilla në fushën e politikës së jashtme, e kam këshilluar vazhdimisht, duke iu bindur ndërgjegjes sime. Kam menduar vetëm për të mirën e Gjermanisë, dhe për këtë punova ditë e natë. Një ditë do të vijë kur e vërteta do dalë në shesh…
Të ndahem nga ju e kam të rëndë, por ja që u dashka. S’kemi pse ankohemi. Të mbetemi të bashkuar për të mirë e për të keq; përherë do jem pranë jush, dhe përherë do ta keni me vete dashurinë time.
Të puth, biri im…
Për Anneliz fon Ribentrop
15 tetor/ Doja ta ndihmoja Adolf Hitlerin për të ndërtuar një Gjermani të lulëzuar e të fortë. Por Fyhreri dhe populli i tij dështuan; miliona njerëz ranë, Rajhu u shkatërrua dhe kombi gjerman u mund. A nuk është e drejtë që edhe unë të bie, jo për zbatim të vendimit të dhënë në Nuremberg nga gjykatës të huaj, por në emër të një Drejtësie të lartë?
Jam gati për këtë; çfarëdo që të ndodhë, do të shkoj me kokën lart përpara asaj që më pret. E shkuara e familjes sime dhe funksionet që kam pasur si ministër i Punëve të Jashtme, përbëjnë një detyrë të lartë për mua. Ti, e shtrenjta gruaja ime, ktheje tani tek fëmijët tanë dashurinë që kishe për mua. E di që mund të kem besim tek ti. Është ngushëllimi im i fundit dhe dua që ta dish këtë. Me kokën lart, stoik dhe i bindur për ekzistencën e një jete të përjetshme, po shkoj gjer në fund. Për herë të fundit, marr ndër duar kryet e tua të shtrenjtë dhe vështroj sytë e tu me tërë dashurinë që ka në vetvete një qenie njerëzore. Lamtumirë! Mirupafshim në një botë tjetër. Zoti të ndihmoftë!
* * *
Perëndia e marrtë në mbrojtje Gjermaninë. Dëshira ime e fundit është të ruhet bashkimi i Gjermanisë dhe të realizohet mirëkuptimi midis Lindjes e Perëndimit.

Kush ishte Joachim von Ribbentrop

Joachim von Ribbentrop u lind më 30 prill 1893 dhe vdiq më 16 tetor 1946 i dënuar me varje nga Gjyqi i Nurembergut me akuzën për krime kundër paqes, planifikimin e luftës, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë veprimtarisë si ministër i Jashtëm i Gjermanisë në kohën e nazizmit, nga viti 1938 deri në vitin 1945. Djalë i një oficeri karriere, Ribentropi, një folës i mirë i anglishtes dhe frëngjishtes, pas disa viteve punë në Kanada dhe në Shtete e Bashkuara të Amerikës, me fillimin e Luftës së Parë Botërore, u kthye në Gjermani dhe u fut në ushtri. Në vitin 1918 e emërojnë oficer stafi në Stamboll, ku njihet me Franz von Papen, i cili e bindi Perandorin Hindenburg ta pranonte Hitlerin si Kancelar të një qeverie të padominuar nga Partia Naziste. Ribentropi u bë këshilltari më i pëlqyer i Hitlerit për politikën e jashtme, sepse ndërsa diplomatët profesionistë ia tregonin të vërtetën se çfarë ndodhte jashtë Gjermanisë naziste, Ribentropi i tregonte ato që kishte qejf Hitleri të dëgjonte. Më 1936 u emërua ambasador i Gjermanisë në Londër. Në fillim të vitit 1938 zëvendëson baronin Konstantin von Neurath në postin e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, në një kohë kur politika e jashtme e Gjermanisë po radikalizohej.  Ribentropi ka luajtur një rol kyç në nënshkrimin e traktatit sovjeto-gjermane të mossulmimit, apo të ashtuquajturin pakti Molotov-Ribentrop i viti 1939, si dhe në aksionet diplomatike para se të sulmohej Polonia.

 

AFRIM IMAJ

© Panorama.al

Te lidhura