Nis kompensimi financiar i pronave

Mar 26, 2011 | 11:34

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bëri dje me dije se ditën e hënë do të nisë procesi për kompensimin financiar. Në bazë të vendimit të qeverisë, brenda 30 ditëve, çdo qytetar i interesuar duhet të bëjë aplikimin pranë zyrave të AKKP-së në Tiranë. “Procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë ditën e hënë, më datë 28.03.2011 dhe do të zgjasë 30 (tridhjetë) ditë kalendarike. AKKP ka ngritur grupin e punës për pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara. Të gjitha subjektet e interesuara mund të paraqiten pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nga e hëna në të premte, nga ora 09:00 – 14:00, në adresën: rruga ‘Muhamet Gjollesha’, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Nr. 54, Tiranë”, thuhet në njoftimin e AKKP-së. Fondi për këtë vit është 10 milionë dollarë. Vendimi ka përcaktuar vetëm tre kushte, sipas të cilave, asnjë ish-pronar që ka përfituar më parë kompensim financiar nuk mund të aplikojë. Sipas zyrtarëve të AKKP-së, janë hequr disa barriera, si për shembull kriteri që të mos kesh përfituar me Ligjin Nr. 7501, apo edhe kriteri deri në 200 m2. “Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi, do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone”, thuhet në vendim. Sipas formulës së re për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 m2, masa e kompensimit do të jetë 200 m2. Më tej për pronat e njohura për kompensim mbi 1500 m2 deri në 3 000 m2, masa e kompensimit do të jetë 300 m2. Për pronat e njohura për kompensim mbi 3 000 m2 deri në 5 000 m2, masa e kompensimit do të jetë 400 m2. Për pronat e njohura për kompensim mbi 5 000 m2, deri në 10 000 m2, masa e kompensimit do të jetë 500 m2. Ndërsa për pronat e njohura për kompensim mbi 10 000 m2, masa e kompensimit do të jetë 600 m2. Sipas vendimit, vetëm 5 ditë pas hyrjes së tij në fuqi, do të hapet procedura për kompensimin financiar për vitin 2011. Subjektet do të kenë vetëm një muaj kohë për të aplikuar. Ato që kanë aplikuar në vitet e kaluara nuk do të paguajnë taksën e aplikimit, e cila është 2 mijë lekë. “Bazuar në rregullat dhe kriteret për shpërndarjen e fondit të kompensimit për vitin 2011, subjektet e shpronësuara disponojnë një vendim përfundimtar dhe të ekzekutueshëm për kompensimin e pronës, referuar radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit me të cilin aplikohet. Nga fondi i vitit 2011 nuk përfitojnë kompensim subjektet e shpronësuara të cilat janë trajtuar më parë me kompensim për vendimin me të cilin aplikojnë”, thuhet në njoftimin e AKKP-së. Të gjithë aplikantët që paraqesin të dhëna të rreme apo fshehin të dhëna të nevojshme për procesin e kompensimit, përjashtohen nga procesi i përzgjedhjes. Subjektet e shpronësuara, të cilat kanë depozituar kërkesën e tyre për kompensim në vitet 2006, 2007, 2008 dhe 2009 dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2011.

© Panorama.al

Te lidhura