BULQIZE-Në ditën e pestë të grevës së dytë të urisë së minatorëve të Bulqizës, kryesindikalisti Taf Koleci përballet me akuzën e dëmtimit të pronës publike. Ai u paraqit dje në Gjykatën e Peshkopisë, pas denoncimit të kryer nga Reparti i Shpëtim-Minierave, pas grevës së urisë që zgjati 26 ditë në galeritë e minierës me koncesion nga firma austriake “ACR”. Ndonëse Koleci, i shoqëruar dhe nga dy minatorët, Baki Bajraktari e Dilaver Përkoxha, mbërriti në Gjykatë, seanca e parë është shtyrë pasi mungonin përfaqësuesit e Avokaturës së Shtetit dhe ata të Ministrisë së Ekonomisë. “Kisha shumë dëshirë që seanca të mbahej dhe unë të argumentoja sa qesharake është padia e ngritur ndaj meje. Tentohet çoroditja e minatorëve dhe dëmtimi i lëvizjes sindikaliste. Kjo nuk ka për të ndodhur për sa kohë do të jem në krye të Sindikatës së Industrisë”, tha Koleci. Ai paralajmëron vazhdimin deri në fund të grevës së urisë së 10 minatorëve, e cila po zhvillohet në lokalin pranë ambienteve të ACR-së. Të pyetur rreth deklaratave të një dite më parë të pronares Depichc, minatorët grevistë thanë se ajo vazhdon të këmbëngulë në mbajtjen e drejtorit të minierës, Medat Zogu, ndërsa ata janë të vendosur të mos nënshkruajnë marrëveshjen me ACR-në për rifillimin e punës. “Nëse ACR kërkon të humbë miliona euro dhe të mbajë në detyrë një administrator, kjo është punë e saj. Mirë do të ishte të shihej interesi i 700 minatorëve dhe mijëra banorëve të Bulqizës. Meqenëse drejtori Zogu nuk pranon të largohet me dëshirën e tij, atëherë firma e huaj duhet të ndërpresë marrëdhëniet kontraktuale me këtë person, pasi interesat e një rrethi dhe të firmës janë më të mëdha sesa mbajtja e një njeriu që po dëmton rëndë imazhin e kompanisë austriake”, thanë anëtarë të komisionit të grevës. h.p.
Kukës, përplasje mes banorëve dhe firmes
KUKES – Kërkimi i hekur-nikelit në masivet e Mamëzit, fshat ky i komunës Kolsh të rrethit të Kukësit, ka hapur konflikte mes kompanisë që ka marrë licencën për kërkim dhe shfrytëzim dhe komunitetit të zonës. Prej kohësh banorët e fshatit janë konfliktuar me kompaninë me pretendimin se prish mjedisin, ka mungesë në dokumentacionin përkatës dhe në tërësi u “grabit” pasurinë. Ata janë kundër, ndërsa firma, nga ana e vet, ka bërë kallëzim në prokurori mbi bazën e të cilit policia ka shoqëruar mbrëmë dy banorë të fshatit. Kjo u bë shkak që dhjetëra banorë të qëndrojnë para Komisariatit të Policisë së Kukësit në shenjë proteste për lirimin e dy të shoqëruarve, si dhe për dhënien e “drejtësisë” për kompaninë, e cila, sipas tyre, po u shkatërron pronat. Sipas drejtorit të Policisë së qarkut Kukës, Sadri Ramçaj, dy personat që u shoqëruan tashmë janë të lirë pasi ata ishin shoqëruar në komisariat për një sqarim rreth konflikteve që kanë krijuar me kompaninë. Ramçaj deklaroi se kompania në fjalë shpeshherë ka kërkuar ndihmën e policisë në mënyrë që të vijojë punën, por kjo çështje tashmë u ka kaluar organeve të Drejtësisë. Edhe më herët ka pasur konflikte të kësaj natyre në zonën e Mamëzit me kërkuesit e mineraleve. Kërkimi dhe nxjerrja e mineraleve në mënyrë amatoreske ka sjellë edhe tragjedi të rënda në galeri, siç ishte ajo e para pak ditëve në Kalimash, ku humbën jetën dy minatorë dhe u plagos një i tretë.











