Vajza nga Burreli që banonte në një shtëpi me qira në Qytetin Studenti, u transportua me urgjencë në Spitalin Ushtarak, por humbi jetën tri orë pas tentativave të mjekëve për ta shpëtuar. Shkak për vetëhelmimin dyshohet të jetë përgjigjja negative e provimit të fundit, që Elona Zhgjuni kishte dhënë në Fakultetin Ekonomik në Tiranë. Përgjigjja ngelëse e provimit në fjalë, sipas policisë, e linte në stazh studenten edhe për një vit. Të paktën sipas deklarimeve të vajzave me të cilat jetonte viktima, ditët e fundit ajo po kalonte një periudhë të vështirë emocionale. Sipas deklarimeve të mbledhura nga policia, gjendja e rënduar e vajzës ishte krijuar për shkak të provimeve në fakultet, por edhe si rezultat i punës që kishte filluar si shitëse, që nuk po i ecte mirë. Shërbimet e Komisariatit nr.1 të Tiranës, që kanë kryer kontroll në banesën ku jetonte studentja e vitit të tretë, në Qytetin Studenti, nuk kanë gjetur asnjë provë që të sqaronte motivet e vetëvrasjes. Pas kësaj, hetuesit kanë marrë deklarimet e dy vajzave me të cilat ajo jetonte. Sipas tyre, Elona Zhgjuni nuk kishte pasur ndonjë histori intime kohët e fundit, çka përbënte dyshimin kryesor për grupin hetimor. Shoqet e viktimës kanë pohuar dyshimet e tyre se 21-vjeçarja e ka marrë vendimin për vetëhelmim, në kushtet e depresionit që po kalonte, si pasojë e stazhit në shkollë. Ato kanë thënë se përgjigjet negative të provimeve, e detyronin që ajo të mos e frekuentonte vitin e katërt në fakultet, për të dytin vit radhazi si përsëritëse.
STUDENTJA
Tri orë pasi ka mbërritur në repartin e Toksikologjisë, në Spitalin Ushtarak, zemra e studentes 21-vjeçare ka ndalur. Mjekët thanë që ishte i pamundur rikthimi në jetë, pasi sasia e helmit që kishte konsumuar, ka qenë e madhe dhe në këtë mënyrë ka depërtuar për një kohë të shpejtë në gjak, duke prekur kështu organet jetike. Shërbimi i spitalit ka lajmëruar menjëherë policinë për ngjarjen, rreth orës 01:00 pas mesnate, duke gdhirë dita e djeshme dhe më pas për ngjarjen është lajmëruar edhe familja e vajzës në Burrel. Babai i saj, Agron Zhgjuni, mëngjesin e djeshëm ka tërhequr trupin e vajzës nga morgu, duke e transportuar në qytetin e saj të lindjes ku do bëhet edhe ceremonia e varrimit. I pyetur nga oficerët e policisë, i ati i 21-vjeçares ka deklaruar se nuk kishte asnjë lloj informacioni për ndonjë shqetësim që mund të kishte pasur e bija. Nga ana tjetër, ai ka kërkuar që policia të hetojë për të zbuluar motivet që e detyruan vajzën e tij të vetëvritej. Një grup hetimor nga oficerë të Komisariatit nr.1 dhe oficerë të Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Lirisë së Personit, do të verifikojë të gjitha rrethanat e mundshme, që çuan në vetëflijim studenten e vitit të tretë të Fakultetit Ekonomik.
Etleva Delia











