Nga Christchurch në Bondi të Australisë, historia e sulmeve, mënyra e veprimit dhe shënjestrimi i besimit fetar në Oqeani

Dec 14, 2025 | 20:25

Për dekada me radhë, Oqeania konsiderohej gjeografikisht dhe politikisht jashtë hartës së terrorizmit ndërkombëtar. Australia dhe Zelanda e Re e trajtonin dhunën si një devijim sporadik, jo si kërcënim strukturor. Ky perceptim u shemb në Christchurch në vitin 2019.

ausie

Gjashtë vite më vonë, ai vihet sërish në provë në Australi, me një sulm që rikthen në qendër të vëmendjes shënjestrimin fetar si motiv kryesor.

Më 15 mars 2019, Zelanda e Re u përball me sulmin më të rëndë terrorist në historinë e saj. Një ekstremist i djathtë hapi zjarr në dy xhami në Christchurch, Al Noor Mosque dhe Linwood Islamic Centre, gjatë faljes së së premtes. Bilanci ishte 51 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.

Objektivat ishin të qarta: besimtarë myslimanë, të paarmatosur, në vende kulti. Motivi ishte ideologjik dhe i drejtpërdrejtë, supremaci e bardhë, urrejtje antimuslimane dhe dëshirë për shembull frikësues. Autori veproi i vetëm, por jo në izolim.

Ai ishte radikalizuar në internet dhe synoi ta shndërronte dhunën në mesazh, duke transmetuar drejtpërdrejt sulmin. Christchurch nuk ishte thjesht një masakër. Ishte hyrja e Zelandës së Re në një realitet të ri terrorist.

Gjashtë vite më pas, Australia përballet me një reflektim shqetësues të kësaj realiteti. Sulmi në Bondi, një nga hapësirat publike më simbolike të vendit, ndodhi në afërsi kohore me ditën e parë të Hanukës, duke sjellë komunitetin hebraik në qendër si objektiv i mundshëm.

Hetimet janë ende në zhvillim, por simbolika është e fortë. Ashtu si në Christchurch, edhe në Bondi nuk u godit një objektiv shtetëror apo institucional. U godit shoqëria në formën e saj më të pambrojtur, njerëz të zakonshëm, hapësira publike, identitet fetar.

Historikisht, Australia nuk ka qenë arenë e vazhdueshme e terrorizmit. Incidentet kanë qenë të pakta, por përcaktuese. Nga sulmi me bombë në hotelin Hilton në Sidnei më 1978, me tre të vdekur, që çoi në krijimin e mekanizmave modernë kundër terrorizmit, deri te kriza e pengjeve në Lindt Café në vitin 2014, terrorizmi trajtohej si përjashtim.

Vitet e fundit, shërbimet australiane të sigurisë evidentojnë një zhvendosje të qartë të kërcënimit, më pak rrjete të organizuara, më shumë autorë të vetëm, rritje e shënjestrimit fetar dhe ideologjik, në përputhje me modelet globale.

 

Terrorizmi në Australi – Kronologjia dhe Vlerësimi

1970–1980: Dhunë politike dhe etnike

1978 – Sidnei, Hoteli Hilton

  • Sulm me bombë gjatë Samitit të Komonuelthit 3 të vdekur
  • Çështje e diskutueshme, me teori për përfshirje vendase ose të huaja
  • Pikë kthese për krijimin e mekanizmave modernë antiterroristë

1980–1989

  • Sulme të kufizuara me intensitet të ulët
  • Motive nacionaliste ose aktiviste
  • Përdorim i mjeteve shpërthyese artizanale

1990–2000: Kërcënim i brendshëm, profil i ulët

  • Mungesë sulmesh masive
  • Forcim i shërbimeve sekrete (ASIO)
  • Fokus në parandalim dhe monitorim

2001–2010: Epoka pas 11 shtatorit

  • 2005: Plane sulmesh në Sidnei dhe Melburn
  • Shkatërrim i celulave islamiste para veprimit
  • Asnjë sulm i realizuar, por kërcënim real i konfirmuar

2009 – Holsworthy Barracks

  • Plan sulmi ndaj baze ushtarake
  • Autorët u dënuan për terrorizëm

2014–2018: Terrorizëm islamist dhe “aktorë të vetmuar”

2014 – Lindt Café, Sidnei

  • Pengmarrje, 3 të vdekur
  • Tronditja më e madhe terroriste moderne për Australinë

2015: Vrasja e një oficeri policie në Parramatta

  • Sulm i armatosur nga një 15-vjeçar, i frymëzuar nga Shteti Islamik
  •  Pjesë e fenomenit të vetë-radikalizimit

2017 – Brighton, Melburn

  • Pengje në apartament, 1 i vdekur
  • Autori shpalli besnikëri ndaj ISIS

2019–2022: Zhvendosje drejt kërcënimit të ekstremit të djathtë

  • Forcim i rrjeteve neo-naziste
  • Arrestime të shumta për plane sulmesh
  • Objektiva: pakica, hapësira publike, infrastrukturë
  • ASIO paralajmëron për rrezik serioz nga terrorizmi i djathtë

2023–2025: Kërcënim hibrid dhe incidente të izoluara

  • Aktorë të vetmuar
  • Radikalizim digjital
  • Përdorim thikash, automjetesh, armësh të lehta
  • Shumica e sulmeve neutralizohen para se të ndodhin

© Panorama.al

Te lidhura