Negociata për vetëdorëzimin e policit

Nov 8, 2011 | 11:21
Shtepia ku ndodhi krimi

Polici privat Ismet Hysaj, i arratisur pas vrasjes së bashkëshortes së tij, Jetlira Doçi, dy ditë më parë në Tiranë, është shpallur në kërkim nga policia, e cila dje zbuloi vendndodhjen e tij. Burime nga grupi hetimor thanë se nga verifikimi nëpërmjet antenave të telefonisë celulare, 40-vjeçari Hysaj është lokalizuar në Tropojë. Drejtues të Policisë së Tiranës kanë arritur të bisedojnë dy herë me të, duke negociuar për dorëzimin e tij në këmbim të lehtësirave ligjore, megjithatë mësohet se autori i ngjarjes ka refuzuar. Negociatat e policisë  në kryeqytet vazhdojnë me prindërit dhe të afërmit e tij, në mënyrë që ai të dorëzohet. Duke u nisur nga vendndodhja e tij, në operacionin e kërkimit të Ismet Hysajt janë angazhuar kryesisht forcat e policisë së Komisariatit të Bajram Currit, por edhe të Drejtorisë së Policisë së Kukësit. Sipas burimeve nga Policia, mësohet se janë kryer kontrolle në fshatin e tij të lindjes, në Luzhë të Tropojës, gjithashtu edhe në fshatin Kam, ku banojnë disa kushërinj të afërt të tij. Por edhe pas kontrolleve të imtësishme, ku kanë asistuar edhe forca të policisë së kryeqytetit, nuk është arritur kapja e autorit. Mësohet se policia lokale e Tropojës ka marrë masa të posaçme, duke ngritur postblloqe, kryesisht pranë kufirit me Kosovën, në mënyrë që të shmanget ndonjë arratisje e mundshme e të dyshuarit jashtë kufirit. Oficerët e Krimeve të Rënda të Policisë së Tiranës, që drejtojnë grupin hetimor, kanë kontaktuar me të gjithë të afërmit e autorit të ngjarjes, në mënyrë që edhe ata të ndërmjetësojnë për dorëzimin e autorit.
NEGOCIATAT
Operacioni i policisë për arrestimin e autorit të dyshuar të krimit në familje, Ismet Hysajt, është zhvilluar në tri drejtime kryesore. Burimet thanë se menjëherë pas vrasjes me thikë të 24-vjeçares Jetlira Doçi, forca të shumta policie nisën kontrolle në Kodër-Kamzë, ku jetojnë disa kushërinj të të dyshuarit, në rrugën “Shaban Bardhoshi”, në Tiranë, ku banon gruaja e  tij e parë bashkë me djalin 12-vjeçar, si dhe në fshatrat e Tropojës. Pasi kanë siguruar nëpërmjet të afërmve numrin e celularit të 40-vjeçarit, drejtuesit e Policisë së kryeqytetit kanë arritur të kontaktojnë dy herë me të, por pa arritur ta bindin për t’u dorëzuar. Në këtë mënyrë është parë si një rrugë tjetër negocimi me të komunikimi me familjarët e të dyshuarit, të cilëve u janë lënë porosi nga grupi hetimor që në rast se mund të kontaktojnë me Ismet Hysajn, t’i sqarojnë përfitimet ligjore që mund të ketë në rast vetëdorëzimi. I dyshuari si autor i krimit të familjes, pasi goditi disa herë me thikë, duke i shkaktuar vdekjen bashkëshortes së tij në sy të vajzës 2-vjeçare, u “arratis” nga vendi i ngjarjes bashkë me të bijën e mitur, e cila u gjet pasditen e djeshme.

Policia gjen vajzën, 2-vjeçarja merret në kujdestari nga gjyshërit
TIRANE – Policia gjeti dje vajzën 2-vjeçare, me të cilën vrasësi i gruas u arratis tri ditë më parë. Vajza u gjet pas kontrolleve të imtësishme të kryera në Kodër-Kamzë, ku banojnë disa kushërinj të policit privat Ismet Hysaj, policia ka arritur të gjejë vajzën e mitur të autorit, të cilën ai e mori me vete pas kryerjes së krimit. Forcat e Komisariatit Nr.5 gjetën vajzën 2-vjeçare në një banesë private pranë Fakultetit të Veterinarisë, në Institutin Bujqësor të Kamzës. Autori menjëherë pas vrasjes së të shoqes mësohet se ka trokitur në shtëpinë e kushëririt të tij, Idriz Hysajt, të cilit nuk i ka treguar asgjë për ngjarjen, por i është lutur që ta mbajë vajzën e vogël disa orë, pasi do të shkonte për një vizitë bashkë me të shoqen. Kushëriri i tij ka pranuar ta mbajë vajzën, por vetëm disa minuta më pas, pasi 40-vjeçari ishte larguar, ai ka mësuar ngjarjen nëpërmjet televizioneve të ndryshme. Pa arritur të kontaktojë vetë me autorin e dyshuar të ngjarjes, Idriz Hysaj u ka telefonuar prindërve të Ismetit, që banojnë në fshatin Luzhë të Tropojës, të cilët mëngjesin e djeshëm kanë ardhur në Tiranë. Pasi i kanë bërë një kontroll vajzës së mitur, në rast se mund të kishte ndonjë problem shëndetësor, prindërit e të dyshuarit kanë marrë në kujdestari të miturën dhe kanë udhëtuar sërish në drejtim të Tropojës. Mësohet se dje në mesditë 24-vjeçarja Jetlira Doçi është përcjellë për në banesën e fundit.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura