Në mbrojtje të konsumatorit shqiptar

Nov 18, 2011 | 9:20

NASIP NAÇO

Shteti me konsumatorin ka një marrëdhënie dashuri-urrejtje të njohur tashmë në të gjithë botën. Atje ku shteti krijon lehtësira, mundësira, apo edhe mbrojtje, konsumatori, qoftë ky votues i qeverisë në fuqi, apo edhe kundërshtar i saj, nuk është i prirë drejt revoltës, së zëshme a të pazëshme.  Nëse shteti është apatik, i pavendosur e i çoroditur karshi kërkesës dhe ankesës së konsumatorit, kjo jo vetëm e bën atë të pabesueshëm në sytë e qytetarëve, por edhe një lloj “armiku”. Megjithëse realisht shteti është ndërmjetësi dhe rregullatori mes operatorëve ekonomikë, importues-eksportues-prodhues dhe konsumatorit, këta të fundit nuk mund të përplasen, të ankohen, apo edhe të konfrontohen me operatorët ekonomikë për mallrat, të cilat mund të jenë të papërdorshme, por që gjithsesi janë në treg. Në këtë moment, pavarësisht politikave tona për tregun e lirë, ndërhyn shteti, duke marrë në mbrojtje konsumatorin. Sepse në gjykimin tonë, treg i lirë nuk do të thotë treg i çoroditur dhe i pakontrolluar. Pikërisht për të rregulluar këtë anomali është përgatitur ligji “Për sigurinë e përgjithshme të produkteve joushqimore”, i cili u miratua nga Parlamenti shqiptar me 125 vota pro dhe asnjë kundër. Besoj se kjo votë shpreh edhe gatishmërinë e të gjithë kolegëve, kur është fjala për vendime që shkojnë në të mirë të konsumatorit.
Por ç’është ky ligj në vetvete? Natyrisht që thelbi i këtij ligji horizontal (mbulimi i të gjitha produkteve për konsumatorin, për të cilat nuk janë të rregulluara me legjislacion të veçantë) i detyron operatorët ekonomikë të vendosin në tregun shqiptar vetëm produkte të sigurta. Zbatimi i tij është si për produktet e reja, ashtu edhe ato të përdorura. Për të gjitha këto produkte, operatorët ekonomikë duhet të informojnë konsumatorët nëpërmjet etiketimit në gjuhën shqipe, në lidhje me produktin, identitetin e prodhuesit, paralajmërimet për risqet që nuk janë evidente dhe shoqërojnë produktet, instalimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij ligji është se ai i detyron prodhuesit që të marrin masat e nevojshme për gjurmueshmërinë e produktit, parandalimin e risqeve edhe pas vendosjes në treg të produkteve, duke informuar menjëherë konsumatorët dhe strukturat shtetërore në rast të evidentimit të rreziqeve për konsumatorët.
Konsumatori shqiptar do të ndihet më i sigurt pas këtij ligji. Fëmijët shqiptarë do të ndihen më të sigurt pas këtij ligji, sepse çdo lodër e blerë prej tyre nuk do të ketë më rreziqe që vijnë nga mungesat ligjore të kontrollit të tregut. Është e sigurt se ligji nuk do të jetë vetëm i hartuar në mënyrë të plotë. Në mënyrë të plotë do të bëhet edhe zbatimi me përpikërinë maksimale të tij. Çdo ministri përkatëse me strukturat e saj të mbikëqyrjes së tregut do të jetë përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së kërkesave të këtij ligji nga ana e fabrikuesve, importuesve dhe shpërndarësve të produkteve në vend. Përcaktimi dhe funksionimi i këtyre strukturave do të jetë në linjë me zgjidhjet përfundimtare të reformës së inspektimit për riorganizimin e inspektorateve, të cilat do të reduktohen nga 35 në 11. Pikërisht nga kjo reformë do të përftohen burimet e nevojshme për krijimin e strukturave eficiente të mbikëqyrjes së tregut.
Natyrisht që shumica e qytetarëve e kanë vëmendjen të përqendruar te mallrat që vijnë nga jashtë vendit. Në jo pak raste ka pasur ankesa nga konsumatorët pikërisht për këto mallra. Po ashtu mediat, një partner i rëndësishëm për sa i përket përmirësimit të çdo situate që ka lidhje me konsumatorët, kanë denoncuar jo pak herë mallra të tregtuara në Shqipëri, por jo të cilësisë së duhur. Pikërisht kontrollin për këto produkte që hyjnë në vendin tonë do ta kenë autoritetet doganore, sipas dispozitave të rregullores së re europiane.
Për herë të parë vendi ynë do të testojë mostrat e produkteve që kanë një bazë të dyshimtë, vetëm në laboratorë të akredituar dhe që plotësojnë kriterin e paanshmërisë për produktin. Për të shmangur abuzimet në marrjen e mostrave, nëse produkti rezulton i sigurt, të gjitha shpenzimet e testimeve do t’i ngarkohen strukturës përgjegjëse të mbikëqyrjes së tregut. Kjo mbron jo vetëm konsumatorin nga abuzimet e operatorëve ekonomikë, por edhe operatorët ekonomikë nga abuzimet e mbikëqyrësve. Në rastin kur produktet paraqesin rrezik për shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve, parashikohet bashkëpunimi me operatorët ekonomikë për ndalimin e tregtimit, ose në kthimin mbrapsht të produkteve nga konsumatorët. Në këtë pikë, një vlerë të madhe do të kenë sigurisht këta të fundit, që me denoncimet apo ankesat e tyre, do të ndihmojnë në zbatimin e shpejtë dhe rigoroz të ligjit. Pra, duke folur në mënyrë më të thjeshtë, ky ligj “kopsit” marrëdhëniet shtet-operator-konsumator.

*Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës

© Panorama.al

Te lidhura