Biznesmeni 44-vjeçar nga Mitrovica e Kosovës, do të akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes nga pakujdesia. Ky është kualifikimi i veprës penale që ka bërë Prokuroria e Tiranës, vetëm pak ditë pasi gjatë caktimit të masës së sigurisë në gjykatë, biznesmenit iu njoftua akuza për veprën penale të vrasjes më dashje. Më 2 shkurt 2011, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për biznesmenin shqiptar nga Kosova. Ai u akuzua se kishte kryer veprën penale të vrasjes me dashje ndaj këngëtares Elsina Hidersha. Në kronologjinë e ngjarjes, të paraqitur nga Prokuroria në gjykatë për të argumentuar mbajtjen e biznesmenit në burg, thuhej se pas takimit me viktimën tek pub “Venue”, në periferi të Tiranës, vajza është afruar tek makina. Sipas këtij versioni, Kelmendi është gjendur në timon, ndërsa vajza ka dashur të bisedojë me të, duke u afruar tek xhami. Biznesmeni ka mbyllur derën me çelësin e bllokimit dhe ka hapur pjesërisht xhamin. Këngëtarja ka vënë duart në xham, ndërkohë që 41-vjeçari i ka dhënë makinës, pasi kishte ngritur xhamin duke i zënë duart 22-vjeçares. Në këtë mënyrë, sipas variantit të parë të ngjarjes, këngëtarja Elsina Hidersha ishte tërhequr zvarrë për 50 metra duke pësuar goditjet, që i shkaktuan vdekjen pas dy ditësh qëndrimi në gjendje kome në Spitalin Ushtarak. Por, pas caktimit të masës së sigurisë nga gjykata, Prokuroria ka vazhduar kryerjen e veprimeve hetimore. Nga kryerja e këtyre veprimeve hetimore, që mesa duket kanë të bëjnë me marrjen e deklarimeve nga i akuzuari Aziz Kelmendi, organi i akuzës ka bërë rikualifikimin e veprës penale. Kështu, sipas klasifikimit të ri me të cilin dosja është regjistruar në seksionin e hetimit të vrasjeve dhe krimeve kundër personit në Prokurorinë e Tiranës, vrasja e këngëtares 22-vjeçare ka ndodhur nga pakujdesia. Sipas këtij varianti të ri, biznesmeni, i shoqëruar nga një femër tjetër, ka qenë në të njëjtin lokal nate ku ndodhej edhe viktima. Pas disa minutave, për shkak se ajo e kishte kontaktuar disa herë në telefon, Aziz Kelmendi dhe partnerja e tij kanë dalë nga lokali dhe janë drejtuar tek makina “Tuareg” e biznesmenit. Emmy i ka ndjekur nga pas dhe është afruar, sipas versionit të ri të hetimit, jo tek xhami i shoferit, por tek dera e anës tjetër të makinës, në krahun e pasagjerit. Aty, sipas Prokurorisë, ka ndodhur një konflikt për disa çaste me shkëmbim fjalësh të rënda. Ndodhur në këto kushte, sipas Prokurorisë, biznesmeni i ka dhënë makinës përpara për të shmangur kontaktin e mëtejshëm me këngëtaren, pa dashur ta vrasë apo ta dëmtojë atë.
Trazhgim Sokolaj











