Ndërlidhja e projektit politik të BE dhe eurozonës

Sep 7, 2011 | 10:26

ILIR KALEMAJ

Nga pranvera e largët e 2007-s, kriza ekonomike globale, që duket se është futur në një spirale që vazhdon të endet si hije mbi vendet e zhvilluara apo në zhvillim pa kurrfarë diskriminimi, duket se po kërcënon seriozisht vazhdueshmërinë e ekzistencës së eurozonës. Kjo krizë, që pati simptoma të përbashkëta, pavarësisht shkaqeve dhe efekteve sipas rastit të ndryshme në vende të ndryshme, vazhdon të manifestohet dhe të matet me anë të indikatorëve të ndryshëm, të tillë si nivelet e frikshme të papunësisë, tkurrjen e kërkesës,  rënien e depozitave, reduktimin e kredive, rritjen e borxhit të brendshëm dhe të jashtëm, rritjen e deficitit buxhetor dhe tregtar apo rritjen e inflacionit dhe rënien e fuqisë blerëse, jo domosdoshmërisht në këtë renditje. Kur kriza imobiliare dhe e kredive të këqija (sub-prime mortgages), kërcënoi SHBA dhe arriti derisa të falimentonte banka gjigante investimesh, si Lehman Brothers, vendet që shërbejnë si lokomotivë e BE-së, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, u mblodhën së bashku për të gjetur një zgjidhje sa afatshkurtër për të përballuar valën goditëse, aq dhe afatgjatë për t‘u bërë ballë efekteve afatgjata. Por mënyrat se si shihnin qasjen e tyre reaguese ndryshonin nga njëri vend te tjetri, në varësi dhe të situatës makroekonomike dhe statusit të tyre në BE. Kështu, ndërsa Sarkozi propozonte një koordinim sa më efikas të vendeve anëtare në tregjet financiare europiane duke i kontrolluar dhe rregulluar në nivel mbishtetëror, Gordon Braun ishte me tepër për ndërhyrje në nivel kombëtar, pra për ruajtje të pavarësisë sovrane në marrjen e vendimeve ad hoc nga shteti në shtet, ndërsa Merkel ishte skeptike për çdo ndërhyrje që kërkonte veçanërisht financim gjerman, si vendi me peshën më të rëndë në këtë drejtim. Nuk është se në atë kohë, por edhe tani, këto dhe të tjera shtete kishin më tepër në dorë se instrumente të kufizuara ndërhyrjeje të tilla si shpëtimi i bankave që rrezikonin kolaps ndërmjet ndërhyrjes energjike qeveritare, skema rikapitalizimi apo paketa stimulimi financiar (kryesisht nëpërmjet reduktimit të taksave, për shembull). Një mënyrë tjetër do të ishte ajo që është propozuar rëndom së fundmi, dhe madje po materializohet me krijimin e një qeverisjeje ekonomike europiane, ku synimet më avangardë ishin krijimi i një ministrie të përbashkët finance etj., çka do të bënte të mundur një ndërhyje më të koordinuar në tregjet europiane dhe vendosjen e një kuadri rregullator sipas një sistemi federal. Gjithashtu, u propozua krijimi i eurobondeve të mbështetura nga një Fond Monetar Europian që do të ndërhynte të shpëtonte vendet që rrezikonin kolapsin apo falimentimin e beftë, siç duket rasti i Greqisë, por edhe shtete të tjera me ekuilibra të brishtë si Portugalia, por edhe rasti i Italisë, çka do të ishte një shok i vërtetë për të ardhmen e eurozonës, por dhe vetë BE-së si organizëm politik. Është interesante të vërehet se megjithësë disa prej këtyre propozimeve duken sipërfaqshmërisht teknike, ato në fakt janë thelbësisht politike dhe ndërlidhen me debate të hershme të BE-së, si çështje të thellimit institucional, rregullimit të deficitit demokratik që rregullohet përmes rritjes së mirëqeverisjes dhe transparencës, rritjes së legjitimitetit dhe influencës së qeverisjes “qendrore”, pra Brukselit, ndaj qeverive të vendeve anëtare e kështu me radhë.
Kryekomisioneri Barroso, që është kthyer dhe në fytyrën e përpjekjeve të përbashkëta të vendeve të BE-së për të përballuar së bashku krizën dhe gjetur një rrugëdalje, garantoi jo më larg se dy ditë më parë, se nuk ka asnjë kërcënim ndaj eurozonës. Ai gjithashtu theksoi se planet hipotetike për të përjashtuar apo pezulluar një vend të caktuar deri në riplotësimin e kritereve (makro)ekonomike, të tilla si niveli i borxhit, deficiti buxhetor apo inflacioni, nuk kishin asnjë bazë reale, duke dhënë kësisoj një garanci më tepër situatës së brishtë ku po kalon fati i krejt eurozonës. Ndërkohë, Herman Rompuyi, i cili, përveç se është zgjedhur si president nominal me provizionet e Traktatit të Lisbonës, tashmë është edhe “kryeministri” i “qeverisë së re ekonomike” propozuar nga Franca dhe Gjermania, ra dakord shpejt me qëndrimin e unifikuar të Merkelit dhe Sarkozisë për një ndërhyje më energjike në drejtim të ndihmës ndaj vendeve të rrezikuara, por jo me idenë e eurobondeve të njëjtësuara, me garancinë e një fondi të përbashkët që kundërshtohej veçanërisht nga Gjermania e Merkelit që i duhej të mbante dhe barrën kryesore në rast materializimi të një plani të tillë.
Për ta përmbyllur, duhet theksuar se dështimi i eurozonës si e tillë, kthimi mbrapa te monedhat nacionale që paraprinë euron, qoftë edhe nëse bëhet në baza selektiviteti, është një hap mbrapa që nuk sjell vetëm pasoja ekonomike, të tilla si zhvlerësimi i këtyre monedhave dhe rrezikun e hiperinflacionit, politika fiskale kaotike të udhëhequra nga politikanë populistë që do shpëtojnë nga mbikëqyrja e rreptë e institucioneve të Brukselit. Mbi të gjitha, do të kishte kosto politike. Sikundër ka paralajmëruar kohë më parë ish-ministri energjik gjerman i Punëve të Jashtme, Joshka Fisher: “Kriza ekonomike globale po nxjerr në pah limitet dhe pamundësitë e BE-së… [Europa] rrezikon të kthehet në kthetrat e egoizmit kombëtar dhe proteksionizmit të së shkuarës”. Për një projekt që ka si moton kryesore “Ever Closer Union”, pra një bashkim gjithnjë e më i ngushtë, çka nënkupton ecjen e sigurt drejt një sistemi federal, ky kthim mbrapa përbën një dështim që nuk duhet toleruar. Kriza e besimit mund të tejkalohet vetëm duke u hedhur në bregun tjetër me guxim, pra thellim të integrimit politik dhe peshë më të madhe institucioneve qendrore, jo kthim në pikënisje dhe as ndenjje në vend. Kjo kërkon lidership të ngjashëm me atë që kanë pasur etërit themelues si Shuman, Monnet, Adenauer, Spinelli apo forcën karizmatike të një Delors dhe të ngjashëm që vunë bast në një projekt që suksesin e integrimit ekonomik do ta kthenin patjetër në integrim politik edhe atëherë kur kjo besohej si ëndrra e një nate vere.

© Panorama.al

Te lidhura