Ndërkombëtarët: Qeveria të hetojë për dëbimin e romëve

Mar 17, 2011 | 11:02

Hetim për largimin me dhunë të familjeve rome. Përpos kësaj, ndihmë për familjet e shpërngulura nga vendbanimi.Me anë të një deklaratë të përbashkët OSBE-ja, SHBA-ja dhe BE-ja nxisin autoritetet shqiptare  të marrin masa urgjente për këtë situatë. “Ne theksojmë se Shqipëria është angazhuar të zbatojë Planin e Veprimit për Përmirësimin e Situatës së romëve dhe sintive në zonën e OSBE-së, si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave 2009 për Shtimin e Përpjekjeve të OSBE-së për Integrim të Qëndrueshëm të romëve dhe sintive. Miratimi i këtij vendimi nga Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfshirë Shqipërinë, tregon angazhimin e këtyre vendeve për të luftuar diskriminimin dhe racizmin ndaj romëve dhe sintive, edhe nëpërmjet medias”, thuhet në deklaratë. Sipas saj, thuhet se në opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim, Komisioni Evropian ka identifikuar luftën kundër diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të romëve, si fusha parësore, të cilave u duhet kushtuar vëmendje e veçantë nga autoritetet. “Në këtë frymë, ne u bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e duhura për hetimin e ngjarjes shqetësuese të shkurtit, për të siguruar që veprime të tilla të mos përsëriten më. Ne i nxisim autoritetet të marrin hapat e duhura për të siguruar asistencën e nevojshme sociale, përfshirë strehimin për ata njerëz që kanë mbetur të pastrehë.”, thuhet në deklaratë. Sipas saj, OSBE-ja, SHBA-ja dhe BE-ja bashkohen me përfaqësuesit e shoqërisë civile në thirrjen për t’i dhënë fund diskriminimit dhe dhunës ndaj familjeve dhe fëmijëve romë. “Ne jemi të bindur se shumica e qytetarëve janë kundër akteve të tilla të dhunës ndaj grupeve të pakicave”, saktësohet në deklaratë. Deklarata mban firmën e Ambasadori Eugen Wollfarth, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Alexander Arvizu, Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe Ambasadori Ettore Sequi, Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

© Panorama.al

Te lidhura