TIRANE – Një 20-vjeçar nga Kosova u arrestua mbrëmjen e së shtunës nga efektivat e Komisariatit nr.2 në Tiranë, pasi kishte kryer një vjedhje me dhunë, duke i shkaktuar edhe plagosjen një kalimtareje në zonën e ish-Parkut të Autobusëve. Burime nga policia thanë se u arrestua kosovari Ramadan Kërshi, i cili kishte mbërritur në Shqipëri vetëm disa ditë më parë dhe justifikimi i tij për qëndrimin e përkohshëm në Tiranë, ka qenë paksa i çuditshëm. “Unë jam përdorues droge dhe këtu në Tiranë blihet më lirë se në Kosovë. Por kam vendosur të largohem, sepse droga këtu nuk është e mirë, ndaj dhe nuk kam blerë shpesh”, mësohet të jetë shprehur 20-vjeçari Kërshi, gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë. Edhe grabitjen e gruas, ai e ka justifikuar me faktin se i duheshin para për të blerë dozën e nevojshme, pasi kishte mbetur pa lekë. Pasi të shiste vëthët dhe varësen e gruas, të cilës ia kishte vjedhur me dhunë, me një pjesë të parave do blinte drogë dhe pjesën tjetër do e përdorte për t’u kthyer në shtëpinë e tij në Kosovë. Ngjarja për të cilën akuzohet kosovari Ramadan Kërshi, ndodhi mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Babë Rexha”, pranë ish-Parkut të Autobusëve, në kryeqytet. Ai akuzohet se ka sulmuar një grua, e cila po ecte vetëm në rrugë. Burimet sqaruan se Kërshi i ka shkulur me forcë vëthët nga veshët kalimtares e më pas edhe varësen nga qafa, duke i shkaktuar plagë dhe për këtë arsye, kalimtarja është transportuar për ndihmë mjekësore. Autori është kapur vetëm disa orë pas denoncimit të gruas së dëmtuar, por në momentin e arrestimit nuk i janë gjetur bizhuteritë, pasi ai i kishte shitur për të blerë dozën e nevojshme të dogës. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, policia ka gjetur edhe një sasi të hollash, që i arrestuari ka deklaruar se po i ruante për të blerë biletën, që të nisej dje drejt Kosovës.











