TIRANE – Agron Kuliçaj, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, padit në gjykatë deputetin socialist Taulant Balla për akuzën e shpifjes. Me anë të një kërkesë-padie të depozituar dje në Gjykatën e Tiranës, Kuliçaj kërkon shpërblimin e dëmit moral që i është shkaktuar prej thënieve, sipas tij të pavërteta, të pohuara nga deputeti Balla në një konferencë për shtyp të datës 16 mars 2011. Bëhet fjalë për një deklaratë, ku emri i zëvendësdrejtorit Kuliçaj përmendet si i përfshirë në kontrabandën e naftës “Virgine”. Si masë shpërblimi Kuliçaj kërkon shumën një milion lekë të vjetër. Gjithashtu ai i kërkon gjykatës ta detyrojë deputetin Balla të publikojë përgënjeshtrim për deklaratat e tij kundër Kuliçajt. Në kërkesë-padi, zv.drejtori Kuliçaj pohon se nga deklarata e deputetit Balla i është cenuar rëndë personaliteti dhe dinjiteti, si në raportet me detyrën shtetërore, ashtu dhe me familjen e tij dhe mjedisin shoqëror ku jeton e punon. Kuliçaj sqaron në padinë e tij se ai ka qenë në të gjitha rastet i gatshëm të jepte kontributin e tij në hetimin e çështjes së naftës “virgine”. Por, sipas tij, prokuroria nuk e ka parë të nevojshme dhe as të mbështetur në prova për ta pyetur në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme mbi hetimin, e aq më pak ta hetonte si të dyshuar për përfshirje në këtë vepër penale.
KËRKESA
“Në cilësinë e paditësit, unë i drejtohem Gjykatës suaj me kërkesë-padi me objekt shpërblimin e dëmit jopasuror (moral), që më ka shkaktuar i padituri, shtetasin Taulant Balla, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, pasi botërisht ka përhapur thënie të pavërteta që lidhen me personin tim, duke më shkaktuar mua një dëm të konsiderueshëm jopasuror, pasi me ato thënie ai ka cenuar nderin dhe personalitetin tim”, thuhej në kërkesë-padi. Në vijim, në padi citohej deklarata e deputetit Balla, ku ndër të tjera pohohej se “në kontrabandën e naftës ‘virgine’, të kthyer në një krim shtetëror, rezultojnë të përfshirë shumë zyrtarë, ish-drejtues të ARMO-s shtetërore, drejtues lokalë të Policisë e deri në drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, siç është rasti i ish-truprojës së Saliut, Agron Kuliçaj”. “Këto deklarime të pavërteta kanë cenuar rëndë nderin dhe dinjitetin tim, si person me kontribute të veçanta në luftën e krimit, kryesisht atij të organizuar, gjatë gjithë karrierës time në polici që nga viti 1993 e në vijim, por kryesisht të evidentuar më qartë në harkun kohor 2005-2011”, thuhej më tej në kërkesë-padi. Në lidhje me masën dhe formën e dëmshpërblimit, në padinë e firmosur nga Kuliçaj thuhej se “kërkimi im lidhur me vlerën e dëmit të shkaktuar do të jetë simbolik, në masën një milion lekë, pasi kërkoj nga Gjykata edhe detyrimin e të paditurit të publikojë përgënjeshtrim lidhur deklarimin e tij të pavërtetë në adresën time”.











