Nafta “virgine”, gjykata lë në burg 12 të arrestuarit

Mar 15, 2011 | 11:11

Gjykata e Tiranës la në burg dje 12 personat e arrestuar në lidhje me skandalin e eksportit fals, të 17 mijë tonëve naftë “virgin”.Biznesmenë e zyrtarë, si dhe punonjës të kompanive të dyshuara, do të qëndrojnë në “arrest me burg” pa afat, deri në përfundim të hetimeve, në lidhje me këtë çështje.  Gjykata e Tiranës ligjëroi dje masat e sigurisë të dhëna për ta në mungesë, në datën 5 mars 2011, para se të realizoheshin arrestimet. Ishte gjyqtarja Blerina Muça, toga e zezë, që njohu dje njëri pas tjetrit të dyshuarit me masat. Të dyshuarit Hajri Elezaj, masa e sigurisë iu komunikua në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku ai ndodhet për shkak të problemeve shëndetësore. Sipas Prokurorisë, mbi të arrestuarit rëndojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, që të kenë konsumuar elementët e veprave penale të “mashtrimit në bashkëpunim”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “pastrimit të produkteve të naftës”. Sipas Prokurorisë, dyshohet se të pandehurit kanë falsifikuar dokumentacionin e eksportit të naftës “virgin”. Në këtë mënyrë, në një kohë kur lënda duhet të eksportohej, ajo hidhej në tregun e brendshëm si karburant, në kundërshtim me ligjin.
SEANCAT
Duke filluar nga ora 10:00 e ditës së djeshme dhe për 3 orët në vazhdim, në Gjykatën e Tiranës u paraqitën të arrestuarit në harkun kohor 11-12 mars për llogari të hetimit ndaj naftës “virgin”. Në seanca gjyqësore me dyer të mbyllura për publikun, të pandehurit u njohën me akuzat dhe me masat e sigurisë të caktuara për ta në mungesë. Prokurorja Daniela Sulaj i ka paraqitur gjykatës pretendimet e akuzës mbi të arrestuarit, duke cilësuar “rolin” e gjithsecilit, në skemën e dyshuar të Prokurorisë mbi kontrabandën e naftës “virgin”. I pari i dyshuar që është paraqitur dje para gjykatës ka qenë Edmond Ferraj. Burime pranë seancës bënë të ditur se Ferraj dhe avokati i tij pretenduan se nuk ishin njohur me aktet e dosjes. “Na është vënë në dispozicion vetëm procesverbali i arrestit”, mësohet të jetë shprehur avokati i tij, Vojo Bregu. Në vijim, para gjyqtares Blerina Muça janë paraqitur edhe të arrestuarit e tjerë. U bë e ditur se përveç konfirmimit të gjenealiteteve të tyre, asnjë nga të arrestuarit nuk ka bërë deklarata para gjykatës. Avokatët e tyre kanë pretenduar masa më të buta sigurie. Mbrojtësi i shoferëve të arrestuar, që dyshohet se kanë transportuar naftën “virgin” nga Ballshi në depozitat e “Euroil” sh.a. dhe “Fisheku” sh.a., ka shfajësuar klientët e tij para gjykatës. “Shoferi është i punësuar. Nuk mund të bëjë mashtrim e as falsifikim dokumentesh”, mësohet të ketë pretenduar avokati. Një masë më të butë sigurie se ajo e “arrestit me burg” ka kërkuar dje edhe biznesmeni i arrestuar Hajri Elezi. Në seancën e zhvilluar në ambientet e QSUT, ku ai ndodhet prej mbrëmjes të së dielës, nëpërmjet avokatit të tij kërkoi lirim. U mësua se kërkesën për lehtësimin e masës avokati e ka argumentuar me pamundësinë fizike, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të klientit të tij. Pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjykata ka vlerësuar që për asnjërin nga të pandehurit nuk rezultonte të kishin ndryshuar kushtet e provave të paraqitura ndaj tyre. Për këtë, gjykata ka ligjëruar masat e marra në mungesë, duke lënë kështu të pandryshuar “arrestin me burg” ndaj tyre.

Masat e sigurisë me policë në gjykatë

Për shkak të numrit të madh të të pandehurve dhe shpeshtësisë së zhvillimit të seancave gjyqësore ndaj tyre, Drejtoria e Burgjeve kishte angazhuar disa toga shoqërimi dje në Gjykatën e Tiranës. Në hyrjen e pasme të Gjykatës së Tiranës, nëpërmjet të cilës futen të pandehurit, ra në sy dje prania e më shumë se dy automjeteve të Policisë së Burgjeve. Ndërkohë, përreth godinës së gjykatës u vu re edhe prania e një numri të konsiderueshëm të familjarëve dhe miqve të të arrestuarve.

Dëmi ekonomik ndaj shtetit

Sipas Prokurorisë, konsumimi i veprave penale për të cilat akuzohen nga ana e 12 të arrestuarve, si edhe dy të shpallurve në kërkim, ka sjellë pasoja të rënda për shtetin dhe qytetarët. “Këto vepra penale kanë sjellë pasoja të rënda në dëm të shtetit dhe qytetarëve, të cilëve u është shitur karburant i një cilësie të ulët në raport me çmimin që është tregtuar”, thuhet në dosjen e akuzës.

Masat e arrestit

Hajri Elezaj,                 pronar i “Euroil”
Ilias Fisheku,             pronar i “Fisheku” Sh.a
Martin Fisheku,             pronar i “Martini” sh.a
Bajram Fisheku,             administrator
Dashamir Kasaj,             tatimor i Fierit
Edmond Ferraj,             doganier Vlorë
Flamur Merkaj,             punonjës
Vladimir Koteci,             shofer
Genci Prençe,             shofer
Reshat Aleksi,             shofer
Fadil Abdurramani,             shofer
Kadri Hajredini,             magazinier

Në kërkim

Bledar Rama
Gazmend Serjani

PS: Pas naftës fshihet Berisha

Partia Socialiste akuzoi dje kryeministrin Berisha si drejtuesin e rrjetit mafioz të naftës virxhin. Deputeti Taulant Balla tha se nga kjo kontrabandë u janë grabitur shqiptarëve më shumë se 80 milionë euro. “Si ka mundësi që edhe në këtë rast, ashtu si edhe për bizneset e mafias italiane Sacra Corona Unita, apo bizneset e Fazlliçit, llogaritë dhe regjistrin kontabël i mban Shpresa Breçani, mbesa e kryeministrit Sali Berisha, emri i së cilës shfaqet në gjithë kompanitë e privilegjuara nga pushteti”, u shpreh Balla. Sipas deputetit socialist, disa prej të arrestuarve janë miq të familjes së kryeministrit Berisha, ashtu siç një ndër të implikuarit kryesorë,- tha Balla,- është ish-truproja i tij dhe sot nëndrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi. Për socialistët, heshtja e Kryeministrit flet për implikimin personal të tij në këtë skandal, ku sipas tyre janë përfshirë disa institucione. “Ku je, Sali Berisha? Pse nuk flet për këtë kusari, pse të është mbyllur goja? Si ka mundësi që asnjë institucion në varësinë tënde, Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, Drejtoria e Tatimeve, Inspektorati Qendror Teknik nuk bënë asgjë për ta ndaluar këtë mashtrim”, ka pohuar Balla.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura