Myslimanët: Të pasigurt për xhaminë e re

Mar 21, 2011 | 10:36

Komuniteti mysliman shqiptar shprehet i pasigurt për ndërtimin e xhamisë së re, në sheshin pranë Pallatit të Kulturës. Megjithë premtimet e bashkisë dhe disa takime të zhvilluara për këtë qëllim, përfaqësuesit e Komunitetit kanë theksuar dje se deri tani ende nuk është zgjidhur çështja e lejes së ndërtimit dhe shpronësimi i truallit. “Duke marrë në konsideratë interesimin e vazhdueshëm të besimtarëve në lidhje me ndërtimin e xhamisë së re, Këshilli i Përgjithshëm e vlerëson më se të nevojshëm informimin e besimtarëve, qytetarëve myslimanë dhe të mbarë opinionit publik. Këshilli i Përgjithshëm i KMSH ka mirëpritur nismën e vonuar për ndërtimin e xhamisë së re në Tiranë që në fillimin e saj, por në arritjen e këtij objektivi, Këshilli i Përgjithshëm konstaton mjaft pasiguri, derisa nuk është zgjidhur leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i sipërfaqes së truallit që nuk është në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe paqartësi të tjera”, tha në një komunikim me mediat Ylli Gura, kryetari i Këshillit Kombëtar të Komunitetit Mysliman. Sipas tij, ndërtimi i xhamisë së re është më se i nevojshëm për komunitetin mysliman. “Ne nuk mund t’i drejtohemi një zoti, duke përvetësuar qoftë edhe një pëllëmbë tokë të një personi apo institucioni tjetër. Xhamia e re në kryeqytet mbetet një nevojë më se emergjente dhe një e drejtë e pakontestueshme, e padiskutueshme e besimtarëve myslimanë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë”. Komuniteti Mysliman është shprehur dje edhe për çështjen e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Komuniteti shprehet se regjistrimi me formularin aktual nuk i shërben stabilitetit të vendit. “Për sa i përket regjistrimit të popullsisë, Këshilli i përgjithshëm i KMSH gjykon se regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare nuk i shërben integritetit dhe stabilitetit social dhe politik në Shqipëri. Ketë qëndrim, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e ka shprehur edhe në takimet e zhvilluara më herët. Për këtë arsye, i bëjmë thirrje organeve kompetente që në formularin e regjistrimit të popullsisë të hiqen pikat e vetëdeklarimit të etnisë dhe fesë”, thuhet në deklaratën e myslimanëve.

© Panorama.al

Te lidhura