Muzeu Etnografik, jeta e shqiptarëve në 1700 objekte

Mar 14, 2011 | 12:09

Tashmë objektet kanë mbërritur në destinacion. U desh një punë e gjatë deri këtu. Mes mijëra objektesh, duhet të zgjidheshin ato më përfaqësueset, më të bukurat, më të ekspozueshmet.Për muaj, specialistët rrahën mendimet mes tyre, pati edhe debat, deri sa u arrit në hartimin e një liste të plotë, me më të mirat. Janë rreth 1700 objekte që do të ekspozohen në Muzeun Etnografik, i cili do të përfshihet brenda atij kombëtar. Afërdita Onuzi, një nga specialistet më të mira të fushës, e cila ia ka kushtuar gjithë jetën e saj kulturës popullore, thotë se më në fund puna është në rrugë të mbarë. Fundshkurti dhe fillimmarsi ishte koha e tenderimeve për ngritjen e infrastrukturës muzeale. Sipas Onuzit, bëhet fjalë për sistemin e mikroklimës, për izolimin e dritareve, sistemin kundër zjarrit, apo materialet e vitrinave, ku do të vendosen një nga një të gjitha objektet e muzeut. “Me të përfunduar ky proces, ne do të fillojmë me vendosjen e objekteve në vitrina, por duhet thënë që duhet bërë një punë shumë e madhe për krijimin e të gjitha kushteve optimale për ruajtjen e objekteve”, thotë Onuzi, sipas të cilës, në muze do të vendosen objekte me vlera të veçanta, të cilat kërkojnë temperatura, nivel lagështire dhe drite të mirëpërcaktuar. E në fakt, godina e Muzeut Kombëtar, e ndodhur në qendër të Tiranës, e rrethuar me rrugë nga të katër anët, ka vuajtur nga të gjitha këto. Një institucion kombëtar pa sistem kondicionimi, klimatizimi dhe me shumë dritë, çka sjell edhe dëmtimin e objekteve, sidomos të tekstileve, të cilat digjen e zbardhen. Specialistët jo rrallë herë e kanë ngritur këtë shqetësim. Kjo është edhe arsyeja pse krijimi i infrastrukturës po ha ca më shumë kohë. Por duket se më në fund, pas një kohe të gjatë, ngritja e Muzeut Etnografik po bëhet realisht. Janë 1200 metra katrorë në ambientet e MHK-së, që janë vënë në shërbim të këtij pavijoni, që në fakt ka përmasat e një muzeu, por Afërdita Onuzi thotë se ndërkaq po bëhen përpjekje për të marrë edhe ca anekse të tjera në Etnografikut.
Objektet
Përveçse tashmë janë përcaktuar të gjitha objektet që do të vendosen, në letër është përcaktuar edhe mënyra se si ato do të vihen. Por nuk ka qenë një proces i thjeshtë. Specialistja Afërdita Onuzi thotë se procesi bëhej më i vështirë nga fakti se duheshin përzgjedhur objektet e duhura, në mënyrë që të paraqitej i gjithë spektri i jetës shqiptarë, si jeta e fshatit, ashtu edhe ajo e qytetit, duke filluar që nga veshjet, banesat, ekonomia, arti popullor, folklori. Gjithçka e zgjedhur me shumë kujdes për të përfaqësuar gjithë hapësirën shqiptare. Kjo është edhe arsyeja pse objektet e përzgjedhura janë të të gjitha llojeve, që nga orenditë, tek takëmet dhe enët e kuzhinës, veshjet popullore, që nga xhamadanët e xhubletat e Veriut tek fustanellat, kollanët e shamitë me hoje të Jugut, me motive të përsosura, qëndisur në ar. Nuk mungojnë armët e brezit e të murit, të gdhendura me lloj-lloj ojnash e mbishkrimesh, veglat muzikore etj. Përkundër idesë që shqiptarët kanë qenë gjithnjë një vend i varfër, të dalin parasysh veshje dhe aksesorë të një finese dhe bukurie të jashtëzakonshme, çka tregon për një popull me shumë sqimë. I përkasin më së shumti shekullit të XIX, por tek-tuk është edhe ndonjë syresh që i përket fundshekullit të XVIII dhe janë kryesisht objekte të drunjta, të përdorura në odat e burrave, në Veri. Sipas realizuesve të këtij muzeu, ideja është që gjithçka të jetë sa më e gjallë dhe sa më konkrete. Tanimë, mënyra e të rrëfyerit përmes stendave dhe fotografive është tepër e vjetruar dhe Onuzi premton që gjithçka do të jetë e niveleve bashkëkohore. Madje, një rëndësi e veçantë do t’i jepet edhe multimedial. “Do të krijojmë ambiente, dhoma të mbyllura, ku vizitorët të mund të shohin video, apo të dëgjojnë dhe të shohin këngë dhe valle nga pasuria jonë folklorike, apo të shohin pjesë të kostumeve popullore, të cilat nuk mund të ekspozohen”, thotë ajo.
Restaurimi
Përveç krijimit të infrastrukturës, një tjetër proces që do t’i paraprijë ngritjes së muzeut është restaurimi i objekteve. “Sigurisht që ka dëmtime, sidomos tek objektet e drurit, por një nga proceset më të domosdoshme është dezinfektimi. Çdo objekt, përpara se të mbyllet në vitrinë do t’i nënshtrohet këtij procesi, me qëllim që të mos infektojë të tjerët. Kanë nevojë për larje, për qepje, për rregullime të vogla. Çdo njëri prej tyre do të kalojë dorë më dorë dhe është një proces që do të zgjasë deri në momentin e fundit”, thotë Afërdita Onuzi. Për restaurimin dhe pastrimin e objekteve po punon një staf specialistësh nga Qendra Albanologjike, pjesë e të cilit është Instituti i Kulturës Popullore, nga Muzeu Historik Kombëtar dhe nga Laboratori i Arkeometrisë dhe Konservimit.

 

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura