TIRANE – Seanca gjyqësore ku pritej të bëheshin të ditur emrat e ekspertëve që do të verifikojnë video-regjistrimin mes ish-zv.Kryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit Dritan Prifti nuk u zhvillua dje në Gjykatën e Lartë. Shkak për moszhvillimin e seancës së radhës të procesit gjyqësor, më të pandehur ish-zv.kryeministrin Meta, i akuzuar për “korrupsion” pas publikimit të video-regjistrimit mes tij dhe Priftit, u bë mosformimi i Kolegjit Penal. Kur në sallën e gjyqit u fut trupa gjykuese, u vu re mungesa e një prej anëtarëve të saj, gjyqtarit Ardian Dvorani. Vetëm pak çaste më pas, gjyqtari Gani Dizdari, duke u kërkuar ndjesë palëve relatoi se seanca nuk mund të zhvillohej. “Seanca nuk mund të zhvillohet për shkak të mosformimit të trupës gjyqësore”, u shpreh Dizdari. Para palëve ai argumentoi se mungesa e gjyqtarit Dvorani kishte motive objektive, për shkak të një problemi urgjent shëndetësor. Në vijim, gjykata caktoi datën 16 shtator si datë të zhvillimit të seancës së ardhshme gjyqësore. I pandehuri i kësaj dosjeje në Gjykatën e Lartë, ish-zv.kryeministri Ilir Meta, nuk ishte i pranishëm dje në proces. Ai përfaqësohej nga dy avokatët e tij mbrojtës Gëzim Veleshja dhe Petrit Serjani. Në seancat e mëparshme, me anë të një vendimi të ndërmjetëm, Kolegji Penal vendosi thirrjen e ekspertëve që do të verifikojnë video-përgjimin e realizuar nga Prifti në zyrën e tij, teksa gëzonte statusin e ministrit. Riekspertimi i video-regjistrimit u vendos në seancën e datës 11 korrik, pasi Kolegji Penal deklaroi të pavlefshëm akt-ekspertimet e kryera nga dy ekspertë të huaj, një amerikan dhe një anglez. Më 25 korrik, Kolegji Penal e shtyu seancën për ditën e djeshme, pasi në atë seancë gjykatës nuk i kishte mbërritur informacioni i kërkuar në lidhje me përcaktimin e ekspertëve. Ende nuk është bërë e ditur nëse ekspertët do të jenë shqiptarë, apo të huaj. ar.ba











