Kryeministri deklaroi dje publikisht projektligjin prej 16 faqesh të legalizimit të kapitaleve të biznesit dhe faljes së një pjese të borxhit tatimor dhe doganor që ky i fundit i ka shtetit. Por, ky projektligj, që vjen në Parlament për t’u miratuar me shumicë të thjeshtë votash, është shumë më tepër se kaq. Është për të gjithë qytetarët që kanë përfituar nga legalizimi i apartamenteve-prona të tyre dhe nuk kanë deklaruar pranë Hipotekës vlerën reale të pronës që zotërojnë kësisoj. Rivlerësimi bëhet gati falas, duke i paguar shtetit vetëm 1 për qind të diferencës. Për shembull, një apartament 80 metra katrorë, i privatizuar në vitet 1993-1994, i cili ka pasur vlerën e asaj kohe sipas tarifave shtetërore 30 milionë lekë të vjetër, por sot vlen 100 milionë lekë në kushtet e tregut, “falet” si detyrim të kësaj mbivlere të shtuar duke paguar vetëm 1 për qind të 70 milionë lekëve të vjetër, pra 700 mijë lekë të vjetër. Falen, “amnistohen” të gjitha shumat e akumuluara nga qytetarët gjatë këtyre 21 viteve tranzicion, por të padeklaruara apo të pafutura në kanalet bankare. Ligji është edhe për bizneset e vogla, për ata të quajtur persona fizikë, për shtetasit që kanë një dyqan, një aktivitet të vogël privat dhe gjatë gjithë kësaj kohe kanë bërë para ose prona pa i deklaruar ato. Këto biznese tatohen vetëm 3 për qind, për pasuritë që deklarojnë ose paratë që fusin në bankë me deklarim vullnetar. Falen të gjitha gjobat dhe kamatë-vonesat mbi to, në rast se nuk janë paguar, të bizneseve të vogla që e kanë blerë kasën fiskale përpara 28 shkurtit 2011, por që përpara kësaj date janë gjobitur ngaqë nuk e kanë pasur. Falen të gjitha detyrimet tatimore dhe gjobat mbi to të shtetasve, deri në datën 31 dhjetor 2009. Falen detyrimet tatimore të personave fizikë, pra biznesit të vogël, për taksën vendore deri më 31 dhjetor 2009. Falen detyrimet tatimore dhe gjobat përkatëse për të gjitha kompanitë që paguajnë TVSH deri në datën 31 dhjetor 2008. Projektligji ruan fshehtësinë e të gjitha deklarimeve vullnetare të biznesit. Ai realisht është formalizim i ndjeshëm i ekonomisë shqiptare. Me qindra milionë euro në para dhe kapitale të padeklaruara më parë, të mbartura në këto 20 vite tranzicion, hyjnë në këtë mënyrë në ekonominë që i bindet sundimit të ligjit.
Shumë shpejt qeveria do ta kalojë në Parlament këtë ligj-reformë të gjithanshme, që forcon autoritetin e shtetit (gjithnjë fal i forti) e, krahas përfitimit të mijëra vendeve të punës që hapen, me qytetarët, personat fizikë dhe biznesin e konsoliduar që investojnë lirisht me të gjitha kapitalet e formalizuara dhe të çliruara tashmë. Nga ana tjetër, më 1 janar 2012 hyjnë në këtë ekonomi edhe të gjitha të ardhurat tona si individë. Në këtë mënyrë, rritet kontributi ynë ndaj shoqërisë dhe forcohet shteti e shërbimet e tij ndaj shtresave më të varfra të popullatës. Biznesi tashmë është i ndërgjegjësuar dhe raporti i tij me administratën tatimore e doganore të vendit do të bëhet më i shëndoshë e pa shkëndija të forta përplasjesh. Kjo do të thotë që në këtë deklarim të parë vullnetar, sipas ligjit, do të jetë edhe deklarimi i aseteve (kapitaleve) që biznesi disponon. Pra, një amnisti pikërisht në këtë vit është e domosdoshme për të çliruar nga presioni i madh ligjor për pasuritë që qytetarët dhe bizneset kanë të hipotekuara, apo të regjistruara, si dhe për të ardhurat e tyre, që po ashtu shpeshherë nuk janë të deklaruara, duke e bërë të domosdoshme faljen fiskale. Edhe vetë komuniteti i biznesit e shikon që gjithnjë e më shumë po vijnë duke u ngushtuar hapësirat për shmangie, evazion fiskal. Nëse ende ka ndonjë kompani apo sektor të industrive të veçanta që punojnë me dy balanca, ku një e dorëzojnë në administratën tatimore dhe një në sistemin e bankave për të marrë kredi, për të deklaruar një tjetër situatë që i jep mundësinë për ta përfituar kredinë, kjo tashmë nuk mund të tolerohet më. Prandaj dhe falja e gjithanshme, si e pasurive në të holla, dhe e kapitalit, i krijon mundësinë biznesit të dalë “në të mbathura” përpara administratës fiskale. Por është një situatë që ai vetë e dëshiron, njëlloj si zhveshjen për vrapin në fizkulturën e mëngjesit, që e forcon dhe e bën rezistent ndaj presioneve të tregut. Është thelbësore që fshehtësia e deklarimeve të ruhet e gjitha, që biznesi t’i besojë procesit dhe të hyjë masivisht në të. Për këtë mund të parashikohen edhe si shtojca në këtë ligj sanksione shumë të ashpra për ata tatimorë apo doganierë që nxjerrin informacion për mediat apo bizneset rivale, ndaj deklaratave vullnetare të filan apo fistek sipërmarrësi.
© Panorama.al












