
Pasi siguroi besimin e dy dhomave të Parlamentit italian, Mario Monti do të kërkojë besim për programin të tij të shpëtimit edhe në rangje më të larta, në Bashkimin Europian. Java e Kryeministrit të ri italian do të nisë me një mbledhje kabineti. Por vazhdimi i saj do të jetë kryesisht me karakter europian. Të martën, Kryeministri italian do të drekojë në Bruksel me Presidentin e KE, Hose Manuel Barroso, dhe do të ketë edhe një takim me Presidentin e Këshillit Europian, Herman Van Rompuj. Pasditen e së martës ai do të zhvillojë takime me eurodeputetët italianë. Hapat diplomatikë për të marrë bekimin e Bashkimit Europian do të vazhdojnë të enjten, kur Mario Monti, ish-komisioner europian, do të zhvillojë takime me Kancelaren gjermane, Anxhela Merkel dhe Presidentin francez, Nikolas Sarkozi. Ky takim në veçanti konsiderohet shumë domethënës nga ana politike, sepse mund të krijojë zhvillime të reja në ekuilibrat politikë të unionit, që kohët e fundit ka parë vetëm takime dykokëshe, Merkel-Sarkozi. Takimi, ka theksuar Monti, është kërkuar pikërisht nga Merkel dhe Sarkozi për të ofruar një kontribut të qëndrueshëm në përballimin e temave të rëndësishme mbi eurozonën dhe problemet që po kalon ajo. Sipas “Corriere della Sera”, ky lloj takimi me kërkesën e tyre mund të jetë një shenjë që tregon se Italia do të kthehet sërish si një fuqi në skenën politike europiane, duke rikuperuar rolin e saj të shuar, si ekonomia e tretë më madhe e eurozonës dhe një nga (ish) ekonomitë më të mëdha në botë. Monti u ftua për takimin me politikanen më të rëndësishme gjermane dhe atë më të rëndësishëm francez, pas telefonatave të tyre të urimit kur ish-komisioneri europian, një figurë e respektuar në qarqet ekonomike europiane, fitoi në Parlamentin italian besimin e të dyja dhomave, duke nisur zyrtarisht punën për rimëkëmbjen e Italisë dhe uljen e deficitit të borxhit të saj prej 1.9 trilionë eurosh, ose 120 për qind e GDP-së.
Ministri gjerman: Britania do të përdorë euron
Fuqia më madhe në Europë, Gjermania, po paralajmëron Britaninë se jo vetëm që do të qëndrojnë në Bashkimin Europian, por shumë shpejt do të detyrohet të përdorë euron dhe të “zhdukë” paundin. Idetë e disa konservatorëve të lartë britanikë për të kërkuar një referendum mbi qëndrimin e Britanisë në BE, nuk i kanë pëlqyer liderëve të eurozonës, e sidomos Gjermanisë. Një ditë më parë, Kancelarja gjermane bëri një lëvizje diplomatike që i mundësoi asaj “anulimin” e referendumit që do të mbahej në Britani, i cili me shumë gjasa do ta nxirrte vendin nga BE-ja. Ajo tha se kriza e eurozonës do të zgjidhej pa përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar, kështu në Britani nuk kishte më një subjekt për të cilin duhej votuar. Anxhela Merkel bëri thirrje për një “ndryshim të limituar të marrëveshjes” për integrim të mëtejshëm të eurozonës, pikërisht siç thuhej në një memo të “rrjedhur” gjermane, në të cilën theksohej përpjekja që duhet bërë për të parandaluar një referendum, i cili mund të tërheqë fuqitë nga Brukseli. Të enjten, ministri gjerman i Financave tha se Mbretërisë së Bashkuar do t’i duhej të përdorte euron “më shpejt nga mendojnë njerëzit”, me gjithë krizën në monedhën e përbashkët. Dje në mëngjes, Kryeministri britanik, David Kameron dhe Kancelarja gjermane, Merkel, u takuan në Berlin për çështje ekonomike. Ata nuk ranë dakord mbi planet e Gjermanisë për një taksë të re mbi transaksionin e bankave dhe një plan për të rritur financat e eurozonës











