“Mojtaba Khamenei nuk ndodhet në Moskë”- Ambasadori iranian në Rusi mohon lajmin

Mar 17, 2026 | 16:27

Ambasadori i Iranit në Rusi, Kazem Jalali, ka hedhur poshtë raportimet se Mojtaba Khamenei ndodhet në Moskë për trajtim mjekësor.

mojtaba khamenei

Reagimi vjen pas një publikimi të medias kuvajtiane Al-Jarida, e cila raportoi se Khamenei ishte transferuar në Moskë pasi ishte plagosur gjatë sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite, ku thuhej se humbi jetën edhe babai dhe bashkëshortja e tij.

Sipas të njëjtit raportim, presidenti rus Vladimir Putin i kishte dërguar një ftesë personale për t’u trajtuar në Rusi, duke i garantuar kujdesin më të mirë mjekësor.

Media të tjera kuvajtiane pretenduan se operacioni për largimin e tij nga Irani ishte mbajtur tepër sekret dhe përfshinte transportimin me një avion ushtarak rus. Po ashtu, raportohej se ai ishte dërguar në një nga rezidencat presidenciale, ku i ishte nënshtruar një operacioni në këmbë.

Megjithatë, ambasadori iranian në Moskë i mohoi këto pretendime, duke theksuar se lajmet për praninë e Khameneit në Rusi nuk janë të vërteta.

© Panorama.al

Te lidhura