Rea, modelja shqiptare: “Gedafi nuk është diktator”

Mar 21, 2011 | 14:28

“Gedafi nuk eshte diktator”. Keshtu ka deklaruar modelja shqiptare Rea Beko, ndër qindra vajzat që ndihmuan liderin libian të kalojë ditë të këndshme gjatë vizitës së tij në Romë. 28-vjeçarja është bërë myslimane dhe ka bërë disa udhëtime në Libi. Në një intervistë të botuar nga agjencia e lajmeve ANSA, (botuar sot nga Shqiptari i Italise), Rea rrëfen “bashkë me tre vajza të tjera kemi vizituar gati gjithë Libinë. Të gjithë personat e stafit të tij na kanë trajtuar si mbretëresha, si motra, me respekt të pamasë për feminilitetin tonë”.

E reja shqiptare u bë e njohur sepse në një grup prej 250 modelesh që takuan Gedafin, ishte e vetmja që ngriti dorën kur ai pyeti se kush e kishte lexuar Kuranin. Ajo tregon se “nga ai çast ai u interesua menjëherë për të dhe se përfitoi menjëherë nga ftesa për të vizituar Libinë. Pas dy javësh u nisëm, ishim 12; mes tyre dhe një vajzë me origjinë nga Libia, njëra që po përfundonte tezën e diplomës mbi Gedafin e një tjetër që studionte arabisht. Në fillim ishim pak të frikësuara, nuk njihnim vendin, kulturën, ndonjëra kishte frikë se mund të na lëndonin, por kur u ndamë, i kishim sytë me lot. Të gjithë u treguan vërtet mikpritës”.

Përshkrimi i Rea Bekës është shumë larg skenarit të rrëfyer nga burime të tjera, modelja shqiptare flet për një vend të qetë ku “populli e donte liderin e vet dhe që ishte krenar për nivelin e jetesës, më i lartë se fqinjët e vendeve të tjerë afrikanë. Mbase Gedafi mund të ketë fajet e veta, metoda të ndryshme nga tonat, por është i vetmi që i ka dhënë një identitet Libisë. Ndërhyrja ushtarake, sipas meje, nuk është një mision paqeje, por një luftë për naftën” përfundon modelja shqiptare e cila me sa duket e njeh nga afër realitetin e vendit.

Aktiviteti

Ditën e shtunë, më 26 mars, në Romë është në program një manifestim në favor të liderit libian Gedafi, i organizuar nga Hostesssweb. Është kjo agjencia on line e modeleve që ka planifikuar takimet e tij në Romë në shkurt të vitit 2009 me një grup prej 500 vajzash.

Në një komunikate agjencia bën të ditur se “gjatë dy vjetësh kemi qenë në Libi dhjetëra herë, rreth njëqind të rinj, vajza dhe djem, në çadrat e tij (Gedafi). Kemi ngrënë bashkë hurma Arabie e kemi pirë qumësht deveje, kemi diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe se cila është konsiderata që të rinjtë italianë kanë për Libinë, kemi folur për politikë, fe, për të ardhmen e punës, për sportin, për gjithçka… Ai ka dëshmuar shumë interes për mendimet tona dhe ka thënë që është mik yni..”

 

 

 

© Panorama.al

Te lidhura