Misho: Valixhet i kam gati, por dua Kupën

Mar 16, 2011 | 11:51

Trajnerit të Tiranës nuk i bën shumë përshtypje fakti se një ditë më parë presidenti i klubit, Refik Halili, kishte pohuar për mediat se trajneri do të largohej në fund të sezonit.Ai ka thënë dje se mendon vetëm për kupën, dhe jo për largimin e tij. “Unë e kam thënë edhe herë të tjera, që kur kam ardhur te Tirana nuk kam firmosur fare kontratë me z.Halili. Ka qenë dëshira ime që të vija dhe të drejtoja këtë skuadër dhe këtë gjë nuk e bëja duke u mbështetur tek ana financiare. Përsa i përket pjesës që ju thoni se është shprehur presidenti, ju them se nga Tirana mesa di unë kanë ardhur dhe janë larguar shumë trajnerë, madje edhe të mirënjohur, ndaj nuk është aspak çudi që edhe unë të iki një ditë. Ne trajnerët, jemi gjithnjë me valixhe në dorë, pasi puna jonë matet më së shumti nga rezultatet”, ka qartësuar Misho Kërstiçeviç. Referuar faktit se lojtarët janë ankuar se nuk kanë marrë rrogat, trajneri kroat nuk ka dashur ta komentojë duke thënë se lojtarët duhet të tregohen më së pari profesionistë në fushën e lojës. “Unë jam trajner dhe nuk merrem me anën financiare të lojtarëve. Në këtë kontekst, do thoja se secili prej tyre, si fillim, duhet të tregojë vlerat e tija në fushën e lojës dhe më pas të ankohen në klub për detyrimet. Mua personalisht më intereson rezultati në fushën e lojës dhe nesër (sot)pres që skuadra të reagojë”, ka vazhduar kroati. Tekniku ka prekur natyrisht edhe ndeshjen e sotme, si dhe krizën e rezultateve të Tiranës së tij, duke kritikuar më shumë sulmin. “Jemi në një moment të vështirë. Prodhojmë lojë, por jemi të pasaktë para portës. Vërej një bllokim të skuadrës në sulm, pasi e kemi shumë të vështirë që të shënojmë. Nëse ndaj Bylisit bëmë 5 gola, kjo erdhi si rezultat i zhbllokimit që në minutat e para dhe më pas dolëm shumë kollaj në lojën tonë. Uroj që të njëjtën gjë të bëjmë edhe me Besën, pasi një eliminim nga kupa do të ishte një dështim për Tiranën”, ka përfunduar Kërstiçeviç.

Tirana-Besa
(17:00)

Formacionet
e mundshme
Tirana (4-1-3-2): I.Lika, Sina, Pashaj, Osmani, Gvozdenoviç, A.Lila, Hyka, S.Lilaj, G.Lika, Bala (Morina), Pejiç. Trajner: Misho Kërstiçeviç
Besa (4-3-2-1): Kotorri, Hoxha, Shameti, Jakupi, Lazarevski, Djarmati, Nora, Mancaku, Dos Santos, Shtini, F.Sefa. Trajner: Gert Haxhiu

© Panorama.al

Te lidhura