Mishel Platini është rizgjedhur president i UEFA-s. Ish-legjenda franceze e futbollit, i cili çuditërisht nuk kishte asnjë rival, u konfirmua në zyrën e qeverisë europiane të futbollit deri në vitin 2015 gjatë Kongresit të 35-të të Federatës Europiane të Futbollit mbajtur një ditë më parë në Paris. Përveç Platinisë u zgjodhën dhe 5 zv.presidentët e UEFA-s. Ky është mandati i dytë i francezit në krye të UEFA-s. “Pas zgjedhjes sime katër vjet më parë, falënderimet e mia u shkuan mbi të gjitha miqve të vjetër”, ishin fjalët e 55-vjeçarit, pas shpalljes së rezultateve. “Sot falënderimet e mia u shkojnë të gjithë miqve të rinj, të cilët kanë treguar se janë në krahun tim. Platini mori një votë plebishitare nga 53 federatat europiane, duke marrë 100 për qind të votave. Ish-kapiteni i Kombëtares franceze (72 prezenca dhe 41 gola) dhe ylli i Juventusit në vitet ’80 ishte zgjedhur për herë të parë në 26 janarin e vitit 2007, në Kongresin e Dyseldorfit në Gjermani, pasi kishte mundur suedezin Lenart Johanson, atëherë president i UEFA-s. Në zgjedhjet e katër viteve më parë vendet anëtare të UEFA-s ishin 52 dhe Platini u shpall fitues me 27 vota “pro” dhe 23 “kundër”. Por konfirmimi i mandatit të dytë ka shijen e plebishitit pikërisht përpara syve të presidentit të FIFA-s, Sep Blater dhe kandidatit të zviceranit për zgjedhjet e ardhshme në qeverinë botërore të futbollit, Mohamed Bin Hamam.
Ndër arritjet kryesore të francezit gjatë mandatit të parë është ndryshimi i strukturës së Champions-it, por edhe ndryshimi i formatit të europianit të ardhshëm “Euro 2016”, i cili nuk do të ketë më 16, por 24 skuadra. Por ajo që e ka bërë më shumë krenar Platininë është “fair play” financiar i klubeve europiane. “Në futbollin e sotëm qarkullojnë shuma të mëdha parash, por në veçanti është një problem i madh etik që ka të bëjë me mënyrën se si këto para shpërndahen dhe përdoren. “Fair play” financiar është një projekt thelbësor që do të na detyrojë t’i japim më shumë moral futbollit. Kemi detyrën e rëndësishme që të mendojmë për brezin e ardhshëm, futbollin që do t’u lëmë fëmijëve dhe nipërve tanë”, – përfundoi Platini.
Platini, “pakt” me Hamam për zgjedhjet e FIFA-s
Presidenti i Konfederatës Aziatike të Futbollit, Bin Hamam, pranoi se ai ishte përgatitur të bënte një pakt me Platininë për të nxjerrë jashtë loje Blaterin, i cili është në krye të FIFA-s prej vitit 1998. Kreu i UEFA-s me shumë mundësi do të jetë një kandidat potencial për karrigen e FIFA-s në zgjedhjet e vitit 2015 dhe Hamamit do t’i mjaftonte një mandat për t’i hapur më pas rrugën Platinisë. Blater ka në krye të FIFA-s 13 vjet dhe ashtu si Platini tani do të ketë përballë kandidatin e parë serioz që prej zgjedhjeve të vitit 2002, kur mundi Isa Hajatun. Bin Hamam po lobon fuqishëm për të rivalizuar Blaterin në zgjedhjet e 1 qershorit.











