Miratohet ligji, si do të legalizohen vilat në bregdet

Mar 11, 2011 | 13:19

Në Kuvend ndodhet një projektligj, i cili vendos si kusht pagesën e çdo detyrimi financiar personave që kanë marrë me qira troje turistike. Por për socialistët, ky projektligj po miratohet për të privatizuar vilat dhe fshatrat turistikë të ministrave e njerëzve të tjerë të veshur me pushtet. “Ky është Parlamenti i popullit dhe jo e një tufe deputetësh që zgjidh hallet e veta dhe miratimi i këtij ligji nuk e zgjidh problemin”, deklaroi deputeti i PS-së, Erjon Braçe, i cili i kërkoi ministrit Ferdinand Xhaferri nëse përfitojnë ministrat apo familjarët e kryeministrit. Por ministri iu kundërvu me anën e një shkrimi të botuar në gazetën zyrtare të PS-së, “Zëri i popullit”, ku ish-ministri Besnik Dervishi akuzonte qeverinë socialiste se kishte abuzuar me trojet në bregdet. Xhaferri u mbrojt duke thënë se qeveria e djathtë nuk ka dhënë asnjë leje për fshat turistik që kur ka ardhur në pushtet, madje deklaroi se me këtë nismë ligjore po u bëhet nder ish-ministrave socialistë. “Vetëm në vitin 2002, ministri i atëhershëm i Turizmit thotë tek “Zëri i Popullit”: “Vetëm në 2002-shin, qeveria hapi petët e byrekut me dhjamë dhe kishte ndodhur që zyrtarë të papërgjegjshëm e kishin trajtuar bregdetin si pronë të babait”. E shikoni ju sa të mirë jemi ne, po ju shpëlajmë edhe ju. Me këtë ligj, ne ju shpëlajmë ju, po ju bëjmë të pastër të gjithë paçavuren që ju ngritët në 2005-n. Me këtë ligj përfitojnë të gjithë ata zyrtarë, ish-ministra, që në vend të ndërtonin fshatra turistikë, bënë vila private. Këta përfitojnë nga ky ligj”, deklaroi Xhaferri. Deputeti i PS-së, Braçe, e cilësoi si turp një nen të ligjit, i cili ul me 20 për qind detyrimin e privatizimit nëse paguhet njëherësh. “Ky është turp, nuk mundet që një deputet të votojë për t’i ulur çmimin vetes. Nuk mundet që t’i ulet çmimi për 20 për qind”, tha ai. Në debat u përfshinë edhe deputetë të tjerë, ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se deputetë të djathtë kanë rënë në kurth duke blerë prona të patundshme në këto fshatra turistike të ndërtuar sipas tij nga ish-ministra të PS-së. “Të gjitha janë ndërtuar në 8-vjeçarin e qeverisjes suaj. Kini kurajon dhe u kërkoni deputetëve tuaj që janë në konflikt interesi, si zhvillues të zonëve turistike, ish-ministrave e të tjerë që të mos e votojnë se janë në konflikt interesi. Unë këtë do ta mirëkuptoja edhe në qoftë se ka ndonjë në krahun e djathtë, ndonjë viktimë që ka vajtur e ka blerë ndonjë pallat apo ndonjë vilë aty, të mos i kërkojë që të mos votojë se është në konflikt interesi, sepse do të paguajë aty, por dijeni se zhvilluesit e zonave turistike e fshatrave turistike i keni në grupin tuaj parlamentar dhe ju këtë e dini shumë mirë”, tha Bode. Deputetët e PS-së nuk votuan në fund të seancës, duke mos marrë pjesë në votim.

Debatet në Kuvend

Ferdinand Xhaferri: Nuk bëj politikën tuaj për të kapur njërin apo tjetrin. Këtu në Parlament flitet për politikat. Në dhjetor në 2003, në gazetën e PS-së, ja kush ka qenë politika juaj. Ky pastron paçavuren që krijuat juaj. Ja çfarë thoshte ministri juaj Besnik Dervishi, në gazetën “Zëri i Popullit”. “Shndërrimi i fshatrave politikë në fshatra turistikë të politikës”. Sa herë që të merrni fjalën, do të keni një paragraf nga gazeta juaj. (vendos kopje të gazetës në podiumin e qeverisë)
Ilir Beqja: Ai është këtu për të mbrojtur ligjin, jo për të bërë politikë.
Ferdinand Xhaferri: Një vit e gjysmë si ministër Turizmi, nuk kam firmosur asnjë fshat turistik nga ata tuajit para 2005-s.
Erjon Braçe: Z. ministër, kam disa pyetje. Përfiton nga ligji në fuqi, madje edhe me skonto 30%, zonja Argita Malltezi Berisha, në deklarimin e pasurisë të së cilës dëshmohet se disponon një ambient të tillë në fshatin turistik të Gjirit të Lalzit? Përfiton nga ky ligj ish-zv.kryeministri i Shqipërisë, zoti Ilir Meta, në deklarimin e të cilit dëshmohet po prapë një ambient i tillë në fshatin turistik në Malin e Robit. Përfiton nga ky ligj ministri i Financave, Ridvan Bode, në deklarimin e të cilit dëshmohet një ambient i tillë në Malin e Robit. Nga ky ligj përfiton ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, në Qerret të Kavajës?  Përfiton ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili ka deklaruar se ka një ambient të tillë në Malin e Robit? A përfiton nga ky ligj në fuqi ish-ministri i Bujqësisë, Lufter Xhuveli? Përfiton guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, i cili ka deklaruar se ka një ambient të tillë në Malin e Robit? Përfiton ministri i Brendshëm, Lulzim Basha? Po ju personalisht, përfitoni nga ky ligj?
Ferdinand Xhaferri: Jo vetëm që nuk përfitoj, por të jesh i bindur se në 18 vite dhe sa herë që të jem në politikë,  asnjëherë nuk do marrësh dot atë përgjigje që do nga kjo pyetje që ngrite. Nga ky ligj përfiton e gjithë maskarada dhe paçavurja që ju ngritët me fshatrat turistikë. Ja kush përfiton nga ky ligj. Vetëm në vitin 2002, ministri i atëhershëm i Turizmit thotë tek “Zëri i Popullit”: “Vetëm në 2002-shin, qeveria hapi petët e byrekut me dhjamë dhe kishte ndodhur që zyrtarë të papërgjegjshëm e kishin trajtuar bregdetin si pronë të babait”. E shikoni ju sa të mirë jemi ne, po ju shpëlajmë edhe ju. Me këtë ligj, ne ju shpëlajmë ju, po ju bëjmë të pastër të gjithë paçavuren që ju ngritët në 2005-n. Me këtë ligj përfitojnë të gjithë ata zyrtarë, ish- ministra, që në vend të ndërtonin fshatra turistikë, bënë vila private. Këta përfitojnë nga ky ligj.
Eduard Shalsi: Në fakt nuk çuditem me sjelljen e ministrit të Kulturës, i cili sot provoi se përveçse nuk dinte ku gjendeshin eshtrat e Ismalil Qemalit, sot nuk ia ka idenë dhe nuk jam i sigurt nëse e ka lexuar këtë ligj. Atëherë u dha si argument që pasi jemi konsultuar, kemi gjetur këtë skemë, e cila do të funksionojë, por praktikisht po shohim se nuk ka funksionuar. Në komision na u raportua se subjektet zhvilluese nuk paguanin. Por nuk na u tha përse refuzonin të paguanin këta biznesmenë, cilat ishin arsyet? Për kapriço, çmimi i lartë? Pse dështoi ligji i parë?
Ferdinand Xhaferri: Socialistët kanë filozofinë e përfitimit. Duke dashur të ngelem te argumentet dhe bëj gabim ta them që Edi Rama përfiton që nga Dardha e Korçës e deri në Pezë. Ligjet nuk bëhen për të përfituar marrëdhëniet. A e kuptoni kodin mafioz. Z. Dervishi mori kurajën të shkruante në gazetën e partisë dhe e “ekzekutuan”. Ku është sot z. Dervishi? Nuk është kurrkund në strukturat e PS-së.
Arben Malaj: Dua ta falënderoj ministrin që më falënderoi dhe mund ta bënte me zë të ulët, sepse ka gjysmë ore që bërtet në sallën e Parlamentit të tij. Siç ndodh zakonisht, kur bërtet ka mungesë argumentesh. Unë ju kërkova jo emra konkretë, por sa është masa që preken. Duhet të kishit kurajon se nuk tregoni në relacion argumente konkrete përse ndërmerrni këto ndryshime.
Erjon Braçe: Ky është turp, nuk mundet që një deputet të votojë për t’i ulur çmimin vetes. Nuk mundet që t’i ulet çmimi për 20 për qind. Ky është Parlamenti i popullit dhe jo e një tufe deputetësh që zgjidh hallet e veta dhe miratimi i këtij ligji nuk e zgjidh problemin.
Ridvan Bode: Thjesht për të sqaruar thashethemnajën e fundit dhe të radhës që bën grupi i Partisë socialiste dhe i adresohem zotit Braçe. Z. Braçe, ju mashtroni në këtë Parlament. Unë jam Ridvan Bode. Kini kurajon dhe u kërkoni deputetëve tuaj që janë në konflikt interesi, si zhvillues të zonëve turistike, ish-ministrave e të tjerë që të mos e votojnë se janë në konflikt interesi. Unë këtë do ta mirëkuptoja edhe në qoftë se ka ndonjë në krahun e djathtë, ndonjë viktimë që ka vajtur e ka blerë ndonjë pallat apo ndonjë vilë aty, të mos i kërkojë që të mos votojë se është në konflikt interesi, sepse do të paguajë aty, por dijeni se zhvilluesit e zonave turistike e fshatrave turistike i keni në grupin tuaj parlamentar dhe ju këtë e dini shumë mirë.
Erjon Braçe: Meqë erdhët ju, bëtë mirë që sqaruat pozicionin tuaj përballë deputetëve. Kjo do të thotë se nuk gënjeva, por lexoja deklarimin tuaj të pasurisë dhe disa të tjerëve dhe vetëm pyeta. Po konfirmoj se ky proces ka nisur në vitin 1993 dhe është zhvilluar i paligjshëm e ka vijuar dhe faji është i atyre që e bënë këtë proces. Faji është i socialistëve që amnistuan këtë proces.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura