Miratohet ligji për ndihmën ekonomike

Mar 18, 2011 | 9:59

Kuvendi miratoi dje me 71 vota pro, vetëm me votat e maxhorancës, ndryshimet në ligjin për përfitimin e ndihmës ekonomike.Sipas këtyre ndryshimeve në ligj, familjet e varfra do të mund të përfitojnë nëpërmjet një skeme të re shtesë me ushqime nga qeveria. Nga ana tjetër, sipas këtyre ndryshimeve që riformulon këtë skemë, zgjatet në kohë përfitimi i jetimëve deri në kohën kur punësohen, ndërkohë që më parë ky përfitim gëzohej prej tyre deri në moshën 18 vjeç. Gjithashtu, parashikohet që skema e ndihmës shoqërore të zgjerohet me viktimat e familjeve që vuajnë nga dhuna si dhe fëmijët që janë në ngarkim vetëm të një familjari. Por, deputetët e opozitës e kundërshtuan këtë nisëm ligjore. Sipas deputetëve Erjon Braçe e Ditmir Bushati, kjo skemë shpërndan varfëri, pasi nuk zgjidh përfundimisht çështjen e varfërisë për afërsisht 100 mijë familje të varfra në vend. “Skema aktuale vetëm shpërndan varfërinë anekënd Shqipërisë. Do të doja që këtu të ishte Kryeministri, që ta pyesja se, si ka mundësi që ti merr 2200 dollarë rrogë, kur qytetarët marrin 2 dollarë në ditë”, deklaroi Braçe. Por ministri i Punës, Spiro Ksera, deklaroi se këto ndryshime fusin në skemë persona shtesë, ndërsa shtoi se në vitin 2012 qeveria synon që të zhdukë varfërinë ekstreme. Nga ana e tij, deputeti Braçe, shtoi se skema ka dështuar. “Pensionistë dhe të mitur, ka familje në fshat, ku familjet e tyre janë konsideruar të punësuar se kanë toka, por janë në varfëri të plotë. Unë do t’ju referoja në atë që sjell në evidencë media. Imagjinoni një fëmijë 10 vjeç që gjatë gjithë jetës së tij nuk ka ngrënë një kokërr vezë, por buke thatë, bukë misri, imagjinoni kur kurba e rritjes së çmimeve arrin majat dhe në këto familje nuk ka asnjë ndërhyrje”, shtoi Braçe. Me deputetët socialistë replikuan edhe deputetë të tjerë të djathtë që vunë theksin tek shtimi i fondeve për këto familje. “Para se të qani këtu për shtresat në nevojë, shikoni ca keni bërë kur ishit vetë në qeveri. Krahasoni shifrat, janë dy herë më të larta. Zotëri, mos bëj demagogji”, tha Sherefedin Shehu, deputet i PD-së. Ndërkohë, projektligji ndryshon edhe vendimmarrjen për familjet që e përfitojnë këtë ndihmë, duke ua hequr atë këshillave bashkiakë. Projektligji parashikon që këto kompetenca në projektin pilot, që do të zhvillohet në dy vitet e ardhshme, t’ia kalojë drejtorive rajonale të shërbimit social. Në vija të përgjithshme, për të përfituar ndihmë do të duhet të bëhet një kërkesë dhe të paraqitet bashkë me dokumentet bazë tek administratori. Ky i fundit, pasi bën vërtetimin gjendjes ekonomike sociale, i përcjell propozimin këshillit bashkiak apo atij të komunës. Është menduar që të ngrihet një regjistër elektronik për përfituesit e skemës së ndihmës ekonomike. Kjo, nga Ministria e Punës, është argumentuar me shmangien e abuzivizmit që bëhet me dokumentacionin.

Ndryshimet në ligj

Përfituesit e ndihmës ekonomike janë:

1. Familjet në nevojë;
2. Jetimët, të cilët nuk janë në institucione;
3. Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;
4. Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror, deri në momentin e punësimit të tyre;
5. Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.”.

Kushtëzimi i ndihmës ekonomike bëhet:

a) kur personi në moshë pune, anëtar i familjes në nevojë, nuk merr pjesë në punë apo shërbime;
b) në raste të tjera të parashikuara me vendim të Këshillit të  Ministrave.

Fëmijët e familjes në nevojë, të cilët përfitojnë ndihmë ekonomike, si dhe jetimët që nuk janë në institucione që ndjekin arsimin e detyrueshëm,  sipas ligjit nr.7952, datë 21.6.1995, “Për arsimin parauniversitar”, të ndryshuar, marrin një pagesë shtesë, deri në mbarimin e arsimit të detyrueshëm, në masën e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.

Anëtarit të familjes në nevojë, që është person me aftësi të kufizuara, invalid pune, nuk i llogaritet masë ndihme ekonomike në strukturën e masës së ndihmës ekonomike për familjen.

 

© Panorama.al

Te lidhura