Minatorët: Të na plotësohen kërkesat, ndryshe s’votojmë

Mar 14, 2011 | 12:37

BULQIZE – Këshilli Sindikal i Minatorëve të Bulqizës u është drejtuar me një peticion institucioneve të larta të shtetit, duke rikërkuar miratimin e statusit të minatorit dhe uljen e moshës së pensionit. Madje, ata kërcënojnë me bojkotimin e zgjedhjeve lokale, nëse kërkesat e tyre ekonomike nuk merren në konsideratë. Dilaver Përkoxha, kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bulqizës, tha se do të jetë në krye të 800 minatorëve që ata të mos marrin pjesë në votimet e 8 majit, nëse edhe kësaj here nuk dëgjohet zëri i tyre. “Kërkesa kryesore e minatorëve është që mosha e pensionit të minatorëve të jetë 50 vjeç dhe 12 vite pune nën tokë. Përvoja 65-vjeçare e minierës së Bulqizës ka treguar se punonjësit mbi 50 vjeç janë të paaftë fizikisht për punën e rëndë në nëntokë, duke u bërë shpesh burim aksidentesh”, theksoi Dilaver Përkoxha. Kërkesë tjetër e minatorëve të Bulqizës është dhe heqja e taksës së sheshtë, pasi është e papërballueshme dhe cungon rëndë pagën e tyre. Këto kërkesa me karakter ekonomik janë hartuar në formën e një peticioni drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. “Kërkesat tona për moshën dhe përllogaritjen e pensionit si dhe heqjen e taksës së sheshtë, ia kemi bërë me dije me kohë qeverisë aktuale, por zëri ynë ka rënë në vesh të shurdhër. Nëse qeveria nuk do të plotësojë një për një kërkesat tona, atëherë ne dhe pjesëtarët e familjeve tona nuk do të marrim pjesë në zgjedhjet vendore, që pritet të zhvillohen më 8 maj të këtij viti”, shkruhet në peticionin e minatorëve të Bulqizës.             h.p

© Panorama.al

Te lidhura