Milo: PD-PS, jo pazar si në 2008

Nov 13, 2011 | 11:40

Partitë e vogla kundërshtojnë negociatat e fshehta mes PD dhe PS për reformën zgjedhore
Milo: PD-PS, jo pazar si në 2008
Ndoka: Kontakte me Metën e Mediun për një tryezë të të gjitha partive

TIRANE- Partitë e vogla, aleate të Partisë Socialiste, janë kundër negociatave të fshehta që po zhvillohen mes PS dhe PD për reformën zgjedhore. Dy nga bashkëpunëtorët e Edi Ramës, Paskal Milo dhe Nard Ndoka, kërkojnë transparencë nga këto bisedime dhe paralajmërojnë që të mos kemi situatë të ngjashme me marrëveshjen e vitit 2008 për Kodin dhe Kushtetutën. “Dy partitë e mëdha nuk duhet të bëjnë pazarin e radhës, siç e bënë në 2008-n, sepse kjo do të jetë e dëmshme për vetë Shqipërinë, do të jetë e dëmshme për vetë zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipërisë dhe do të zhvlerësonte të gjithë retorikën dhe gjithë aksionin politik të PS në dy vjet e gjysmë”, u shpreh kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo. Ndërsa aleati tjetër i socialistëve, demokristiani Nard Ndoka, kërkoi më shumë transparencë nga PS në bisedimet e saj me PD. “Momentalisht nuk ka akoma një marrëveshje zyrtare. Jemi në dijeni që ka bisedime. Ka një rëndësi të veçantë në këto momente që të ketë një marrëveshje politike mes maxhorancës dhe opozitës, një marrëveshje transparente në interes të publikut dhe të institucioneve të pavarura dhe atyre kushtetuese. Pra, përtej pazareve politike të nëndheshme”, u shpreh Ndoka.

SISTEMI

Në negociatat mes dy partive të mëdha duket se sistemi zgjedhor nuk do të preket, duke i hapur rrugë marrjes vesh për çështjet e tjera që lidhen me 52 rekomandimet e OSBE/ODIHRit për zgjedhjet. Por, burime nga partitë e vogla thanë dje se Partia Demokratike në negociata me PS nuk ka interes të prekë sistemin zgjedhor, duke ruajtur sistemin aktual proporcional rajonal me 12 qarqe, ndërsa socialistët, nga ana e tyre, janë shprehur se sistemi zgjedhor nuk do të jetë pengesë për zhvillimin e negociatave dhe reformës zgjedhore me PD. Për këtë, aleatët e koalicionit opozitar i kërkojnë PS të mos tolerojë në negociata me PD për domosdoshmërinë e ndryshimit të sistemit zgjedhor. Në të kundërt, ata paralajmërojnë se do të formojnë një tryezë të të gjitha partive të tjera për të kërkuar ndryshim të sistemit, korrektim të tij dhe ndarjen e vendit në 6 zona zgjedhore. “Sapo kemi nisur të kontaktojmë në mënyrë institucionale, Në fakt, ne jemi të bindur se dhe ato janë në të njëjtën linjë, sepse efektet negative do të jenë të njëjta për të gjitha partitë nëse vazhdohet me sistemin aktual, rajonal proporcional, por shpresojmë që gjatë ditëve të ardhshme të mund të shkojmë drejt institucionalizimit të takimeve me qëllim që të flasim me një zë dhe të ushtrojmë një presion të unifikuar ndaj dy partive të mëdha që po punojnë jashtë vëmendjes së partive pjesë të koalicioneve të tyre”, u shpreh Milo. Ndërsa demokristiani Ndoka tha se ka nisur kontakte me partitë e maxhorancës për të realizuar një tryezë me të gjitha partitë e tjera përveç PS dhe PD. “Do të ketë kontakte në fillimjavë. Kam biseduar me disa prej partive dhe të maxhorancës, pra me zotin Meta, Mediu, dhe pritet që të ketë
një tryezë të këtyre partive, nëse dy partitë, PS dhe PD, do të vazhdojnë avazin e tyre të vjetër”, u shpreh Ndoka.

Kreu i LSI-së kërkon nga Korça reformë gjithëpërfshirëse

Reforma zgjedhore, Meta: BE e qartë, të nisim bashkëpunimin

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në takimin me strukturat e partisë në qytetin e Korçës përsëriti apelin për nisjen sa më parë të reformës zgjedhore. Meta tha se Bashkimi Europian është i qartë në kërkesat e tij, ndaj kreu i LSI-së u bën thirrje palëve për bashkëpunim. “BE ka qenë mjaft i qartë në kërkesat e tij, ndaj nuk ka më nevojë për të diskutuar, por thjesht për të nisur nga veprimet konkrete”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së ka vlerësuar se reforma zgjedhore duhet të ishte bërë para zgjedhjeve lokale të 8 majit, pasi, sipas tij, ajo ka qenë edhe shkak i ngërçit politik në vend, që ka sjellë bllokimin e miratimeve të një sërë ligjesh në Parlament. “Ky ngërç ka ardhur si pasojë e mungesës së kësaj reforme zgjedhore, duke sjellë edhe bllokimin e një sërë ligjesh që duhet të ishin miratuar në Parlament”, u shpreh Meta nga Korça. Meta vërejti se ka ligje që nuk janë miratuar prej më se dy vitesh, ndaj është e nevojshme, sipas tij, nisja e bashkëpunimit për miratimin e projektligjeve të nevojshme. Në një tjetër takim të zhvilluar po dje në komunën e Kasharit, ku shoqërohej nga sekretari i Përgjithshëm i LSIsë, Luan Rama, Ilir Meta shpërndau 100 tesera të LSI-së për anëtarët më të rinj të kësaj force politike. Në fjalën e tij, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh se LSI është një forcë politike, e cila i shërben integrimit europian të vendit. “Ne jemi për t’i shërbyer integrimit europian të vendit. Që t’i shërbesh integrimit europian të vendit do të thotë që t’i shërbesh stabilitetit, do të thotë t’i shërbesh mirëqenies dhe të ardhmes së të gjithë qytetarëve. Jemi krenarë që kemi një rol shumë të madh për heqjen e vizave. Kemi bërë çdo gjë për procesin e integrimit europian”, tha ndër të tjera kreu i LSI-së, Ilir Meta.

“Të vegjlit”: Të jemi pjesë e tij

Partitë e vogla kanë kërkuar nga dy partitë e mëdha të jenë pjesë e administrimit të zgjedhjeve. Ato kërkojnë që në komisionet zgjedhore të të gjitha niveleve të kenë përfaqësuesit e tyre, si komisionerë apo dhe si vëzhgues me të drejta të plota të kërkojnë fjalën apo të bllokojnë procesin për çdo parregullsi të vërejtur. Gjithashtu, partitë e vogla kanë kërkuar dhe lista të hapura të kandidatëve për deputetë, pra që ata të mos paravendosen nga kryetarët e partive, por të marrin mandatin sipas votave që do të marrë çdo kandidat. Një tjetër kërkesë e të vegjëlve është dhe ndryshimi i mënyrës së votimit. Ata kërkojnë votim dhe numërim elektronik për të shmangur në këtë mënyrë çdo tjetërsim të votës nga komisionerët e dy partive të mëdha.

NEGOCIATAT PD-PS
Dy të mandatuarit e partive kryesore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, vijojnë negociatat e tyre për të bërë të mundur nisjen sa më shpejt të punës së komisionit parlamentar për reformën zgjedhore. Ata kanë konsultuar draftet dhe i kanë miratuar ato pas bashkëpunimit shumë të ngushtë me përfaqësues të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë dhe të prezencës së Bashkimit Europian. Madje, ka qenë insistimi i diplomatëve, të cilët kanë ushtruar presion dhe te liderët e dy partive për t’u tërhequr nga disa prej pretendimeve të tyre, të cilat po zgjatnin arritjen e konsensusit dhe humbisnin kohë. Puna do të nisë shumë shpejt, që javën e ardhshme, për të mbaruar me të dyja reformat deri në fund të marsit të 2012-s.

ARISTIR LUMEZI

 

© Panorama.al

Te lidhura