Ndeshja e të dielës mes Milanit dhe Interit, do të vendosë një rekord, pavarësisht rezultatit me të cilin do të mbyllet.
Sfida e qytetit të Milanos, do të jetë ajo e cila do të hyjë në histori si me të ardhurat më të larta nga shitja e biletave.
Nuk dihet ende shifra e saktë, por sipas përllogaritjeve, me mbi 75 mijë tifozë të pranishëm, pritet që shuma të kalojë 8,7 milionë euro të ardhura, duke vendosur një rekord të ri për futbollin italian.
Shifra e mëparshme rekord i përkiste derbit të fazës së parë të kampionatit, me Interin pritës, ku zikaltrit regjistruan të ardhura për thuajse 8,65 milionë euro.
Kësisoj, ndeshja e nesërme me Milanin pritës, regjistron kuqezinjtë si klubi me fitimin më të lartë nga shitja e biletave të një ndeshje në Serinë A, me një përmirësim të ndjeshëm pasi rekordi i tij i mëparshëm ishte i derbit të shkurtit 2025, kur nga një ndeshje e tillë u përfituan 7,3 milionë euro. /Panorama Sport/
© Panorama.al












