Ministria e Ekonomisë përfshihet në hetimet për kontrabandën e naftës “virgine”.Burime nga Prokuroria kanë pohuar dje se janë duke verifikuar rolin e Ministrisë së Ekonomisë në parandalimin e tregtisë së paligjshme të naftës së papërpunuar. Sipas burimeve nga grupi hetimor, mësohet se Ministria e Ekonomisë ka pasur për detyrë të kontrollojë dhe të mbikëqyrë lëvizjet e sasive të naftës “virgine”. Për këtë madje, pranë Ministrisë së Ekonomisë funksionon edhe Inspektoriati Qendror Teknik dhe Inspektoriati i Karburanteve. Këto dy struktura në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, kanë për detyrë ligjore deri edhe të kontrollojnë cilësinë e karburanteve që qarkullohen në treg nga operatorët. Megjithatë, Prokuroria pohon, se, gjatë hetimeve të saj, nuk ka gjetur të dhëna që tregojnë për një rol aktiv të Ministrisë së Ekonomisë në drejtim të kontrollit dhe parandalimit të abuzimeve me naftën “virgine”. Dhe mesa duket, në një pjesë të mirë të kohës gjatë së cilës ka ndodhur tregtia e paligjshme, ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka qenë pikërisht “denoncuesi” i çështjes. Në Ministrinë e Ekonomisë, nuk janë gjetur raporte që evidentojnë pasjen e ndonjë informacioni nga ky dikaster për ngarkesat kontrabandë.
Tri ngarkesat në kohën e Priftit
Bazuar në të dhënat që përmban vendimi gjyqësor për arrestimin e 12 personave, mësohet se Prokuroria ka dokumentuar si raste kontrabande tri ngarkesa. Është fjala për praktikën e rreme doganore të plotësuar në datën 19 janar 2009 në Drejtorinë e Doganës Vlorë, për një sasi nafte 2676.1 ton. Rasti i dytë është pak ditë më vonë, me datë 10 shkurt 2009 kur është plotësuar deklarata fiktive doganore për sasinë e naftës “virgine” 2625 tonë. Dhe rasti i tretë është ai i datës 28 shkurt 2009, deklaratë e rreme doganore mbajtur në Drejtorinë e Doganës në Vlorë, për sasinë 14583.679 tonë naftë e pa përpunuar. Për të gjitha këto sasi, në datat përkatëse, në doganën e Vlorës janë plotësuar dokumente fiktive sikur nafta po dërgohej jashtë vendit, ndërkohë që botet riktheheshin e shpërndanin naftë “virgine” që nga Vlora, Fieri, Lushnja e deri në Tiranë e Durrës. Pas kësaj periudhe, ministër i Ekonomisë ka qenë Dritan Prifti. Ai e mori detyrën në shtator 2009 dhe qëndroi si ministër deri në shtator 2010. Sipas Prokurorisë, me përjashtim të disa dokumenteve dhe inspektimeve të bëra pas kontrabandës (2007-2009), si dhe disa mesazheve të dërguara privatisht në telefonin e Dritan Priftit, në Ministrinë e Ekonomisë nuk janë gjetur dokumente që tregojnë se ky dikaster ka qenë aktiv në luftën kundër kontrabandës së naftës “virgine”. Po kështu, inspektoriatet në varësi të METE, nuk kanë bërë kontrolle dhe as penalizime për kompanitë që akuzohen tani për kontrabandën. Burimet nga Prokuroria kanë thënë dje se krahas verifikimeve për rolin e Ministrisë së Ekonomisë, po shikohet edhe qëndrimi i autoriteteve tatimore dhe i policisë së shtetit. Sipas organit të akuzës, edhe këto autoritete kanë pasur të drejtë ndërhyrje, pasi me VKM-në, qarkullimi i naftës “virgine” brenda për brenda vendit është i ndaluar. Sipas vendimit dhe rregullave, nafta “virgine” mund të nxirrej nga rafineritë e Ballshit, vetëm për t’u dërguar jashtë vendit për përpunim, çdo përdorim tjetër i saj konsiderohet shkencërisht i dëmshëm.
Akuza: Arrestimet nuk kanë mbaruar
TIRANE – Prokuroria nuk përjashton mundësinë e arrestimeve të tjera në lidhje me kontrabandën e naftës. Në shënjestër të hetimeve duket se janë autoritetet e tatimeve dhe të doganave. Sipas Prokurorisë, kanë qenë tatimet dhe doganat, që, për shkak të detyrës së tyre, duhej të kishin zbuluar dhe më pas denoncuar e bllokuar kontrabandën e naftës. Përveç një personi të shpallur në kërkim, Prokuroria nuk përjashtoi mundësinë që shtetas të tjerë të arrestohen në ditët në vazhdim në varësi të ecurisë së hetimit. Grupi hetimor mësohet se ka nisur letërporosi jashtë vendit, ndërkohë që në Shqipëri po kryhen verifikime komplekse për zbardhjen e kontrabandës.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











