Meta: Vota e 8 majit, jo izolimit

Mar 28, 2011 | 10:44

Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” prezantoi dje në mesditë kandidatin e maxhorancës për kryetar bashkie në qytetin e Përmetit, Kujtim Hoxha.Në prezantimin e kandidatit të maxhorancës ishte i pranishëm kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deputetët e qarkut, Genc Ruli dhe Vangjel Tavo, si dhe drejtues të tjerë të partive pjesë të këtij koalicioni. Duke prezantuar kandidatin e LSI-së, Ilir Meta, tha se bashkia do t’i kthehet qytetarit. “Unë dua të siguroj të gjithë qytetarët e Përmetit se kandidatura, e cila tashmë është e të gjithë “Aleancës për Qytetarin”, pra kandidatura shumë e nderuar e Kujtim Hoxhës, na jep një mundësi që jo vetëm të bashkohemi për të fituar, por edhe të bashkëqeverisim në mënyrën me qytetare, me transparente Bashkinë e Përmetit, në mënyrë që ky qytet dhe banorët e tij të hedhin hapa më të sigurt në të ardhmen në përmirësim të jetës së tyre, të shërbimeve ndaj tyre”, u shpreh Meta. Sipas kreut të LSI-së, maxhoranca do të fitojë në 8 maj. “Ndaj jam i sigurt se kjo është rruga, në të cilën do të vazhdojmë të ecim, pra është rruga e integrimit, nuk është rruga e izolimit, nuk është rruga e kthimit në të kaluarën, nuk është rruga e ekstremizmit politik, nuk është rruga e konfliktit me partnerët ndërkomb-ëtarë, pa mbështetjen dhe pa përkrahjen e të gjithëve, Shqipëria nuk do të ishte një anëtare e denjë e NATO-s”, u shpreh Meta në Përmet.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura