Kërkohet kandidati socialist për kryetar Bashkie i Elbasanit. Ai që është aktualisht, Qazim Sejdini, fshihet. Kështu ka konstatuar kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, teksa ka promovuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” në Elbasan, Durim Hushi. “U bënë javë të tëra që kandidati tjetër fshihet. Nuk përballet. Nuk arrin dot të marrë kurajë dhe të dalë e të tregojë se çfarë ka bërë dhe çfarë ka në plan të bëjë. Nuk mund të zgjidhesh kryetar i Bashkisë së Elbasanit vetëm duke i rrahur gjoksin kryetarit të partisë tënde. Elbasani ka nevojë për një kryetar Bashkie me projekte të qarta dhe Durim Hushi i ka të gjitha projektet për ta çuar Elbasanin përpara”, tha Meta, ndërsa e ka krahasuar Sejdinin me kryesocialistin Rama. “Elbasani nuk ka nevojë për një kandidat për kryetar Bashkie si Sejdini, i cili në emër të rrugës së vetme, ashtu si Rama, kërkon votën e qytetarit të Elbasanit që të marrë drejtimin e Bashkisë, që të bëjë luftë me qeverinë. Kjo nuk është parë në asnjë vend, veç arkitektëve të rrugës së vetme”, theksoi lideri i LSI-së. Sipas tij, është detyrë e një kryetari bashkie që të mos ndikohet në zgjedhjen e tij ndaj grupeve të interesit, por të konsultohet me qytetarët për problemet dhe zgjidhjen e tyre. “Çdo kryetar bashkie, pasi zgjidhet, e ka për detyrë që të bashkëpunojë me çdo qeveri, pavarësisht se çfarë ngjyrash politike ka ajo”, u shpreh Meta, ndërsa shprehu bindjen se Durim Hushi është kryetari i Bashkisë që i duhet Elbasanit.











