Gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në Tiranë, konkretisht në njësinë bashkiake numër 9, kreu i saj Ilir Meta ka deklaruar se në datën 8 maj duhet ti kthehet qytetarëve Tirana. “Ky qytet ka 11 vjet që është pa plan urbanistik.Rama e filloi si bojaxhi dhe e mbaroi si lyrës trotuaresh. LSI do të sjellë një mënyrë të re të funksionimit të Këshillit Bashkiak. Qytetarët, vendimarrësit e zhvillimit të qytetit. Bashkia në shërbim të qytetarëve. Bashkia jo lavatriçe per paratë e krimit të organizuar. Aleanca për qytetarin do të jetë fituese për zgjedhjet”. Me të njëjtën mesazh, ditë më parë ndërsa LSI ka çelur fushatën zyrtare për zgjedhjet e 8 majit në kryeqytet, Meta deklaroi se ka ardhur koha që buxheti i kryeqytetit të përdoret për problemet e Tiranës. Për kreun e LSI-së, “Koalicioni Aleanca për Qytetarin” do të ketë në fokusin e vetë qytetarin dhe vetëm qytetarin. Sepse sipas tij, këto janë zgjedhje administrative dhe jo politike. Kjo do të thotë u shpreh Meta, që këto zgjedhje kanë të bëjnë me problemet të ndryshme si me përmirësimi i infrastrukturës, ato që kanë të bëjnë me shëndetin e fëmijëve dhe të çdo qytetari, që kanë të bëjnë me ambientin, kanalizimet, administrimin e mbetjeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me hapësirat e gjelbërta, me këndet për fëmijët sepse gjithmonë e më pak është menduar për to dhe probleme që kanë të bëjnë edhe me shumë probleme të tjera sociale të përditshme, pra kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve.











