Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, premtoi dje se do të marrë 40 mijë vota në Tiranë, në zgjedhjet e 8 majit.Lëvizja Socialiste për Integrim hapi dje në Pallatin e Kongreseve fushatën zgjedhore në një takim ku merrnin pjesë me mijëra mbështetës. Në fjalën e tij, Ilir Meta analizoi punën e kryebashkiakut Edi Rama, i cili, sipas tij, e ka shkatërruar kryeqytetin. “Nëse katër vjet më parë ne fituam 20 mijë vota në kryeqytet, jam i bindur se më 8 maj ne do të fitojmë mbi 40 mijë vota në kryeqytet dhe do të kemi një grup shumë të fuqishëm të këshilltarëve tanë, të cilët do të jenë përfaqësuesit nga më të mirët jo vetëm të LSI-së, por të gjithë komunitetit të kryeqytetit”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së, gjatë fjalës së tij, nuk i kurseu akuzat ndaj kryesocialistit Rama. Meta tha se kryebashkiaku ka sjellë vetëm dhunë, të premte të zeza dhe betonizim për kryeqytetin. “Erdhi koha që qytetarët e Tiranës të ndahen njëherë e përgjithmonë më tiranin e Tiranës. Erdhi koha që buxheti i kryeqytetit të përdoret për problemet e Tiranës dhe jo për të sponsorizuar manifestime që djegin dhe shkatërrojnë kryeqytetin tonë të dashur. Qytetarët e Tiranës t’i japin përgjigjen e merituar atij që i solli kryeqytetit të premtet e zeza. Prej disa muajsh e premtja nuk është ditë e dashur për qytetarët e Tiranës, ajo është kthyer në të premte të zezë. Të ndahemi me kryebashkiakun që do të hyjë në histori si i vetmi që u bë avokati i dhunës më të shëmtuar dhe antishqiptare në bulevard dhe në rrugët e Tiranës. Të gjitha gratë e vajzat t’i tregojnë rrugën këtij dhunuesi. Më 8 maj ndahemi me periudhën e betonizimit, nisim periudhën e gjelbërimit”, vijoi Meta.
LSI-ja prezantoi kandidatët e saj për 4 njësi bashkiake në Tiranë për zgjedhjet lokale të 8 majit. Meta shpjegoi pse Edi Rama nuk duhet të zgjidhet më në krye të Bashkisë së Tiranës. “Nëse ka ndonjë qytet ku fëmijët nuk kanë ku të luajnë, ai është Tirana. Nëse ka ndonjë qytet ku shëndeti i banorëve është më i rrezikuar se kudo, është Tirana. Nëse ka ndonjë qytet ku ai që është zgjedhur për të zgjidhur hallet e qytetarëve e shfrytëzon buxhetin pa u miratuar nga Këshilli, është Tirana”, u shpreh Meta. Sipas tij, fitorja e koalicionit të djathtë do të jetë e dukshme me disa dhjetëra mijëra vota përballë Edi Ramës. “Jemi të bindur se “Aleanca për qytetarin” do të fitojë më 8 maj me të paktën 40 mijë vota diferencë. Ashtu sikurse kandidatët tanë do të jenë fitues kudo, që nga Viktor Tusha në Lezhë e deri te Genc Sinoimeri në Gjirokastër. Që nga Durim Hushi në Elbasan dhe Luan Topçiu në Pogradec. Do të jenë fitues kudo në Tiranë, por në mënyrë të veçantë, hijeshia më e madhe e Tiranës, që është Tirana e Re, kërkon një kryetare të re dhe ne do t’ia japim me votën tuaj këtë kryetare të re, që është kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Erisa Xhixho”, u shpreh Meta.
Kandidatët
LSI-ja prezantoi dhe kandidatët e saj në bashkitë më të mëdha ku do të kandidojë me njerëzit e saj. Në Tiranë, për Njësinë Bashkiake Nr.2 kandidon Elez Gjoza; për Njësinë Bashkiake Nr.3, Ilir Kokona; për Njësinë Bashkiake Nr.5, Erisa Xhixho dhe për Njësinë Bashkiake Nr.6, Luzhiana Abazi. Në Elbasan kandidon Durim Hushi; në Gjirokastër Genc Sinoimeri; në Pogradec Luan Topçiu dhe në Lezhë rikandidon Viktor Tusha. Gjithashtu, LSI-ja do të kandidojë me kandidatët e saj dhe në disa
dhjetëra komuna në të gjithë vendin.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











