Mësuesit, certifikatë europiane për kompjuterin

Mar 11, 2011 | 13:21

Për herë të parë mësuesit do të mund të marrin patentë europiane te kompjuterat. Këtë synon projekti “Të mësosh  ICT në dimension evropian”. Gjatë konferencës se djeshme, të organizuar nga Ministria e Arsimit, u bë me dije se çfarë do të sjellë të re ky projekt.” Ai  synon fuqizimin e potencialit njerëzor në shkollën shqiptare përmes formimit të formatorëve e me pas të mësuesve shqiptarë ( 15 + 60+ 260), të cilët për herë të parë në Shqipëri do të pajisen me patentën europiane të kompjuterit CDL; certifikim që mbërrin falë bashkëpunimit me qeverine italiane”, u shpreh ministri i Arsimit, Myqerm Tafaj. Kjo qendër është e një rëndësie të veçantë, pasi për herë të parë pas shumë përpjekjesh disavjeçare, Shqipëria renditet krah vendeve të tjera europiane, që përdorin certifikimin ECDL në sistemet e tyre arsimore. Kjo qendër certifikimi është e vetmja në Republikë që do të “ushqehet” me mësues të formuar në 4 qendra ECDL, të cilët kanë ngritur nga ky projekt ne qytete të tjera të Shqipërisë si në Shkodër, Vlorë, Korçë e Tiranë. Edhe këto 4 qendra formimi janë të standardit europian, qoftë përsa u përket pajisjeve, qoftë përsa u përket formatorëve, pasi formatorët e këtyre qendrave janë certifikuar tashmë në Itali me patentën ECDL . Së shpejti do të certifikohen edhe 60  mësues të tjerë, të cilët më pas do të shërbejnë për formimin e vazhdueshëm të 260 të tjerëve, e kështu me radhë. Në kuadër të ” Shqipëria në moshën e internetit” ky projekt, e në veçanti përurimi i Qendrës Kombëtare të Formimit e Certifikimit të mësuesve është një nga hapat më të rëndësishëm të procesit, hapa të cilët po mbështeten dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, konkretisht qeveria italiane që është bashkëfinancues i qeverisë shqiptare në këtë projekt.

© Panorama.al

Te lidhura