Mësimi i shqipes nga emigrantët, gati tekstet për 5000 fëmijë

Mar 18, 2011 | 9:57

Një libër i posaçëm për t’u mësuar shqipen fëmijëve të emigrantëve. Tekstet do të jenë gati brenda muajit prill dhe kostoja e tyre mendohet të shkojë jo më shumë se 2.5 milionë lekë. Është parashikuar që t’u shpërndahen rreth 5000 fëmijëve që jetojnë jashtë vendit. Gjatë këtij viti shkollor, kryetarët e shoqatave të emigrantëve kanë denoncuar faktin se shteti shqiptar nuk dërgoi në kohë libra për mësimin e gjuhës shqipe. Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë, qeveria miratoi  vendimin në të cilin përcaktohet se Ministria e Arsimit do të mbulojë me fondet e saj 100% koston e librave për fëmijët e emigrantëve dhe pakicat kombëtare. Dje, gjatë një konference për shtyp, Jovan Kristiqi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit, theksoi se MASH-i po merr të gjitha masat për të vënë në zbatim këtë vendim. “Besoj se më 2 prill shtëpitë botuese do na sjellin libra të posaçëm të gjuhës shqipe për fëmijët që jetojnë jashtë. Do ketë libra për fëmijë nga klasa e parë në të pestën, nga e gjashta në të nëntën dhe për fëmijët në gjimnaz”, tha Kristiqi. Ministria e Arsimit këtë vit shkollor do të shpërndajë tekste falas edhe për fëmijët jetimë dhe të verbër, çka do të shoqërohet edhe me një faturë të lartë. Vetëm për fëmijët e pakicave kombëtare, greke dhe maqedonase, kostoja është 25 milionë lekë. “Kostoja e këtyre librave është tepër e lartë, 150 mijë, por ne synojmë ta ulim këtë kosto dhe t’u vijmë në ndihmë fëmijëve shqiptarë”, ka shtuar Kristiqi.
Politikat e Ministrisë së Arsimit në vitet e fundit kanë synuar që në shkollat, ku ka shumë fëmijë shqiptarë, mësimi i gjuhës shqipe të futet si lëndë e dytë, por kjo iniciativë ka gjetur zbatim vetëm në disa shkolla të Italisë. Në vendimin e qeverisë, së dy ditëve më parë, janë përcaktuar edhe afatet kur Ministria e Arsimit duhet t’i dorëzojë tekstet Ministrisë së Punëve të Jashtme.

© Panorama.al

Te lidhura