Memoriali i Çerçizit, të rinjtë kërkojnë restaurimin

Mar 14, 2011 | 12:04

“Kapedan do ta bëjmë! Amaneti yt për ne është i shenjtë!”.Ky është premtimi që të rinjtë e Gjirokastrës i bënë Çerçiz Topullit me shokë, dje, pranë memorialit ku prehen eshtrat e tij e të tjera figurave të ndritura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Pasi nuk kanë gjetur asnjë mbështetje në institucionet shtetërore, të rinjtë e Gjirokastrës kanë vendosur ta marrin vetë situatën në dorë. Për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe të të gjithë indiferentëve, një grup të rinjsh nga qyteti i gurtë kanë zhvilluar dje një takim pranë Memorialit të Rilindësve. Nuk bëhej fjalë për ndonjë përkujtim, siç do të ishte më e natyrshme, por për të bërë publik faktin e turpshëm të shkatërrimit të memorialit, ku prehen eshtrat e Andon Zako Çajupit, Koto Hoxhit, Çerçiz e Bajo Topullit dhe Pandeli Sotirit. U bënë vite tashmë që ky memorial, i ngritur në një kodër në hyrje të qytetit, qysh në kohën e Mbretit Zog (1936), kur eshtrat e Çerçiz Topullit u prunë që nga Shkodra, është degraduar për turp. Pllaka të thyera, emra të hequr dhe shkarravina me sprai, shkruar nga ndonjë përdhosës monumentesh, shqiponja pa koka, që vetëm krenare nuk mund të jenë. Askush nuk ishte kujtuar më parë për vendprehjen e burrave të kombit, deri në momentin, kur një grup të rinjsh trokitën në dyert e Bashkisë së Gjirokastrës, që i përcolli në zyrat e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve, e cila ngriti pretendimin se memoriali nuk është në listën e monumenteve të kulturës, çka do të thotë se nuk është detyra e tyre ta mbrojnë e ta restaurojnë. Si për të larë këtë turp institucionesh, të rinjtë morën përsipër mbledhjen e një shume parash, duke aktivizuar biznese të ndryshme gjirokastrite, për të mbuluar restaurimin e memorialit. Me flamuj në duar dhe me banderola, ata dolën dje për të tërhequr edhe një herë vëmendjen e pushtetarëve, por edhe të vetë gjirokastritëve. Duke parë reagimin më të fundit të Bashkisë së Gjirokastrës, e cila tri ditë më parë doli me pretendimin se do të organizojë një “tender ndërkombëtar për restaurimin e memorialit, të rinjtë u vunë një afat kohor bashkiakëve. Përfaqësuesi i të rinjve, Alban Koçi, u shpreh se afati i fundit për t’ia hequr këtë turp Gjirokastrës është data 5 Maj, Dita e Dëshmorëve, dhe nëse bashkia nuk bën asnjë gjë deri në këtë datë, atëherë ata vetë do të ndërhyjnë me fondet e veta për restaurimin e memorialit. I pranishëm në këtë ceremoni, një nga aktivistët më të njohur për mbrojtjen e  trashëgimisë kulturore, në emër të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë, Artan Lame, u shpreh se “është një turp se si politika po sillet me popullin e vet dhe simbolet e popullit të vet, por për fat vjen dita kur populli ngrihet dhe u thotë, ‘qërohuni sepse i mbrojmë vetë simbolet tona’”. Edhe njëherë Lame vuri në dukje indiferencën e treguar nga institucionet shtetërore, prej të cilëve nuk kishte as edhe një përfaqësues në këtë tubim. Në mbështetje të të rinjve gjirokastritë ka dalë edhe shoqata “Tifozët Kuq e zinj”. Eugen Kondi, përfaqësuesi i shoqatës, u shpreh se mjaft të rinj edhe në qytete të tjera të vendit kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur bashkëmoshatarët e tyre gjirokastritë për restaurimin e Memorialit të Rilindësve.

© Panorama.al

Te lidhura