Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi se nuk pendohet për përpjekjet e saj për të ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë me presidentin amerikan Donald Trump, pavarësisht tensioneve që kanë shoqëruar raportin mes tyre gjatë muajve të fundit.
Pas përfundimit të Samitit të NATO-s në Ankara, Meloni u pyet nëse kishte menduar ndonjëherë se kishte investuar tepër politikisht në raportin me Trump.
“Jo, në asnjë mënyrë nuk pendohem për asgjë që kam bërë”, u përgjigj ajo.
Sipas kryeministres italiane, zgjedhja për të forcuar marrëdhëniet me Trump lidhet me bindjen e saj për rëndësinë e unitetit të Perëndimit.
“E bëra këtë investim politik sepse besoj në unitetin e Perëndimit. Nuk është një strategji që e kam ndjekur vetëm me ardhjen e Trump, por është qasja ime me të gjithë bashkëbiseduesit”, tha Meloni.
Ajo pranoi se marrëdhënia me presidentin amerikan ka ndryshuar gjatë muajve të fundit, por theksoi se vijojnë të ndajnë qëndrime të përbashkëta për çështje si emigracioni dhe kundërshtimi ndaj asaj që e cilësoi si “kultura woke”.
Gjatë Samitit të NATO-s, Trump e përshkroi Melonin si “një njeri të mirë”, por njëkohësisht përsëriti kritikat ndaj Italisë për mungesën e mbështetjes më të madhe ndaj operacioneve ushtarake amerikane kundër Iranit.
© Panorama.al












