Media zvicerane SRF i ka kushtuar një artikull pranisë së vendeve ballkanike në “Bordin e Paqes, ku ndër të tjera shkruan se video e Edi Ramës, ku ai tallte presidentin amerikan Donald Trump duke ngatërruar Shqipërinë me Armeninë, bëri xhiron e botës dhe riktheu vëmendjen mbi marrëdhëniet e Tiranës me Uashingtonin.
Sipas analizës së SRF, anëtarësimi i Shqipërisë në të ashtuquajturin “Bordi i Baqes” nuk është vetëm një akt formal, por pasqyron synimet strategjike të kryeministrit për t’u afruar me SHBA-në.
Në janar, presidenti amerikan Donald Trump prezantoi në WEF në Davos të ashtuquajturin “Bordi i Baqes”. Vendet e mëdha evropiane munguan në themelim, sepse e konsideruan atë si një konkurrencë ndaj OKB-së. Ndër vendet që duan t’i bashkohen Bordit të Baqes janë tre shtete të Ballkanit: Shqipëria, Kosova dhe Bullgaria. Rumania dëshiron të marrë pjesë si “vëzhguese” në mbledhjen e parë. Korrespondenti i SRF, Peter Balzli, bën një analizë.
Pse duan Shqipëria, Bullgaria dhe Kosova t’i bashkohen këtij organi të diskutueshëm?
Të tre shtetet kanë motive krejtësisht të ndryshme. Të gjitha kërkojnë afrimin me SHBA-në, sepse shpresojnë të përfitojnë prej saj. Të tre shtetet janë edhe në faza të ndryshme: Në Shqipëri, parlamenti e ka miratuar tashmë anëtarësimin. Në Kosovë kjo pritet të ndodhë së shpejti. Në Bullgari, në pranverë duhet fillimisht të zgjidhet një parlament i ri. Nëse ky do ta miratojë anëtarësimin, mbetet e pasigurt.
Cilat janë motivet e Shqipërisë?
Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ka kërkuar që herët afrimin me Trumpin. Vajza e Trumpit, Ivanka, dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner po ndërtojnë në ishullin shqiptar të Sazanit fshatra luksoze pushimi me vlerë rreth 1.4 miliardë dollarë. Në tetor, Rama u filmua duke u tallur me Trumpin, i cili në një fjalim kishte ngatërruar vendet Shqipëri dhe Armeni. Tallja bëri xhiron e botës dhe Rama ka të paktën një arsye më shumë për të kërkuar sërish favorin e Trumpit.
Pse dëshiron Bullgaria t’i bashkohet Bordit të Baqes?
Bullgaria ka vetëm një rafineri nafte. Ajo i përket koncernit rus Lukoil. Kundër këtij janë vendosur sanksione nga SHBA-ja. Bullgaria ka frikë nga mungesa e benzinës dhe ka nevojë për mbështetjen e Trumpit. Po aq e rëndësishme: Deljan Peevski, kryetar i Lëvizjes për të Drejta dhe Liri (DPS), është një magnat mediatik dhe një nga oligarkët më të fuqishëm të Bullgarisë. Pasuria e tij në SHBA është ngrirë për shkak të akuzave për korrupsion. Ai ka nevojë për Trumpin për të rifituar aksesin në paratë e tij.
Pse anëtarësimi në Bullgari është veçanërisht i diskutueshëm?
Kërkesa për anëtarësim u vendos nga një qeveri, kryeministri i së cilës, Rossen Scheljaskow, kishte dhënë dorëheqjen që në dhjetor. Megjithatë, Scheljaskow përfaqësoi Bullgarinë në themelimin e Bordit të Baqes më 22 janar në Davos. Vetëm atje njerëzit në Bullgari mësuan se vendi i tyre do të ishte një nga dy vendet e BE-së (tjetri është Hungaria) që do të nënshkruanin dokumentin themelues. Deri më sot është e paqartë kush e mori vendimin dhe çfarë ka negociuar Bullgaria.
Pse dëshiron Kosova të anëtarësohet?
Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Serbia e ka penguar deri tani këtë anëtarësim. “Me Bordin e Baqes tani ekziston një organizatë, në të cilën ne kosovarët trajtohemi si të barabartë, jo si në BE dhe OKB”, thotë politologu kosovar Leart Hoxha. Për Kosovën, mbrojtja e SHBA-së ka rëndësi ekzistenciale. SHBA-ja (përkatësisht NATO) me ndërhyrjen e saj ushtarake në luftën e Kosovës në vitin 1999 bëri të mundur themelimin e shtetit të Kosovës.
Artikulli i SFR: Warum drängen Balkanstaaten in Donald Trumps «Friedensrat»?
© Panorama.al












