Edhe pse NATO njoftoi në muajin mars se të gjitha vendet anëtare kishin arritur objektivin për të shpenzuar të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen gjatë vitit të kaluar, një raport i medias holandeze “De Telegraaf” ngre dyshime mbi saktësinë e këtyre të dhënave.
Sipas artikullit, një verifikim i brendshëm i NATO-s ka zbuluar se tre vende anëtare nuk e kanë përmbushur në të vërtetë pragun e kërkuar prej 2%, pavarësisht se fillimisht raportuan se e kishin arritur atë.
Duke cituar një zyrtar të lartë të Aleancës, gazeta shkruan se disa vende kanë përfshirë në llogaritje shpenzime që sipas rregullave të NATO-s nuk duhej të konsideroheshin pjesë e buxhetit të mbrojtjes.
Sipas burimeve të cituara, Shqipëria dhe Sllovenia rezultojnë ndër vendet me performancën më të dobët, duke mbetur rreth 0.5 pikë përqindjeje nën objektivin e vendosur.
Burime të tjera brenda NATO-s paralajmërojnë se këto vende rrezikojnë të mos e arrijnë sërish nivelin 2% edhe gjatë këtij viti. Gjithashtu, sipas raportit, shqetësime ekzistojnë edhe për Hungarinë.
Artikulli thekson se administrata amerikane po ushtron presion në rritje ndaj aleatëve që nuk përmbushin angazhimet financiare. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, thuhet se ka paralajmëruar se SHBA mund të reduktojë kontributin e saj në buxhetin e NATO-s nëse disa vende vijojnë të mos respektojnë detyrimet e tyre.
“Përpara samitit në Hagë verën e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ushtroi presion të konsiderueshëm mbi vendet e dobëta për të përmbushur atë minimum të premtuar pas vitesh. Përndryshe, ato, dhe NATO në tërësi, mund të sjellin zemërimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump”, thuhet në shkrim.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara mbulojnë rreth 15% të buxhetit të NATO-s, nga i cili financohen selitë, misionet dhe stërvitjet e Aleancës.
Më tej, “De Telegraaf” shkruan se Shqipëria mund të përballet edhe me pasoja të tjera brenda Aleancës. Sipas burimeve të gazetës, ekziston mundësia që vendit t’i hiqet e drejta për të organizuar samitin e ardhshëm të NATO-s, nëse konstatohen shkelje të angazhimeve të marra.
© Panorama.al












