ADRIATIK KELMENDI
PAVARËSISHT SE ÇKA ZË vendet e para në listat e sektorëve të diskriminuar të shoqërisë në Kosovë, besoj fuqishëm se joduhanxhinjtë do të mund të dalin më të diskriminuarit. Dhe kjo fare nuk ka ndikuar me fillimin e zbatimit të Ligjit për Duhanin, edhe pse në mjedise shumë të seleksionuara.
Kjo për shkak se edhe ky zbatim i ligjit – më vjen inat që po detyrohem ta them – në mënyrën kosovare. Teksa më herët një joduhanxhi e ka pasur të qartë se në qoftë se do të qëndrojë në një lokal, nuk do të mund t’i shpëtojë thithjes pasive të tymit të duhanit, as tash me…
Ligjin “në fuqi” nuk mund të llogarisë se mund ta shmangë të njëjtën. Kjo pasi edhe në ato lokale ku është shprehur vullneti që të respektohet ligji, kryesisht nuk janë përmbushur as për së afërmi standardet për krijimin e hapësirave të ndara për ata që pinë dhe ata që nuk e pinë duhanin. Zakonisht, dallimi i vendit ku pihet dhe ku ndalohet duhani (që respektivisht duhet të jetë në proporcion 70 me 30 për qind) qëndron vetëm në prezencën e taketukeve, shenjave dhe përkushtimin e menaxherit të ndërrimit.
E, inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës ankohen se nuk kanë staf të mjaftueshëm për të siguruar implementimin e plotë të ligjit. Ndoshta, duhet menduar në kushtëzimin e vazhdimit të lejeve të lokaleve hoteliere me adaptimin e hapësirave sipas standardeve të ligjit, ose t’i refuzohet dhënia e lejeve lokaleve të reja që nuk e përmbushin standardin.
E sa u përket institucioneve, ajo është krejt një problematikë e veçantë.
NËSE JENI DUHANXHI, sigurisht se tashmë i keni të qarta disa fakte që flasin për “realitetin e respektimit të Ligjit të Duhanit në Kosovë”.
Një, ju mund të uleni në pjesën ku nuk pihet duhani dhe t’i kërkoni kamerierit që t’ju sjellë një taketuke, ai do t’jua sjellë menjëherë.
Dy, ju mund të uleni në pjesën ku nuk pihet duhani dhe kamerieri të mos ju sjellë take-tuke, por një gotë me ujë, ku ju mund të shkundni hirin dhe kështu në qoftë se ziheni nga inspektorët e rrallë, ta merrni fajin mbi vete dhe i njëjti të mos u mbetet pronarëve të lokalit, edhe pse me dije të tyre e keni bërë veprimin e ndaluar.
Dhe, tre, po, gjithmonë mund të pini duhan në pjesën e ndaluar dhe hirin ta hidhni në tokë, duke qenë i inkurajuar edhe nga veprime të ngjashme të vetë personelit që punon në lokal.
Nëse nuk jeni duhanxhi, edhe ju i dini disa fakte të tjera për këtë jetën e lidhur me duhanin.
Një, do të duhej të vendosni të qëndroni i vetmuar në lokal, ose ta gjeni një shok joduhanxhi, në qoftë se dëshironi së paku të uleni në atë pjesën ku nuk do të duhej pirë duhani (qëllimisht po e përdor “ku nuk do të duhej” sepse kurrë s’i dihet).
Dy, në qoftë se lini takim në lokal me ndonjë duhanxhi, ai nuk do të harrojë t’ju porosisë me egoizëm: “Ulu aty ku lejohet duhani”, duke mos i bërë fare përshtypje se ju nuk pini duhan.
Dhe tre, s’ka shumë lidhje se ku do të uleni, tymi i duhanit do t’ju arrijë, për shkak të mosventilimit të mjaftueshëm dhe mosndarjes së standardizuar të hapësirave.
Teksa rastet e mësipërme mund të duken si tragjikomike, ka edhe të tjera ku komikja më nuk ka fare kuptim dhe e tërë skena i ngjan vetëm një trileri tragjik. Ndonëse jam kundër përgjithësimeve, e kam vështirë të kujtoj një vend tjetër që e mëton ta quajë veten të kultivuar dhe jo gjysmë të egër, ku duhani pihet lirisht nga të gjithë edhe në lokalet e dedikuara për lojëra të fëmijëve nën moshën dhjetëvjeçare. Por, natyrisht, se këtu ndoshta fajin më të vogël e ka menaxheri i lokalit – i cili së paku do të duhej të respektonte një ligj të natyrës në qoftë se jo të shtetit – sa kanë faj vetë prindërit që pinë duhan në prani të fëmijëve të tyre ose të tjerë që kanë ardhur për lojë.
E tash, vlerësoj se nuk ka pamje më bizare sesa një nënë shtatzënë me bark të fryrë që pi duhan pa ndërprerë. Personalisht, – më falni që jam kaq i drejtpërdrejtë – më duket si një tentativë vrasjeje. E besoni, raste të tilla shohim të gjithë non-stop në Kosovë.
PËRSE KY VES KAQ i shprehur te ne? Përse gjithë kjo mospërfillje? Ose kjo mosdije?
Duket se ka të bëjë pikërisht me injorancën në masë dhe me varfërinë. Së paku, kështu e tregojnë shifrat zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të organizatave të tjera që merren me çështjet e lidhura me duhanin.
Ja disa fakte: Vlerësohet se një nga tre të rritur në botë pinë duhan, me rreth 1.2 miliardë njerëz në gjithë rruzullin. Shumica e duhanxhinjve banojnë në vendet e spektrit socio-ekonomik më të ulët e deri në atë gjysmë të ulët, në një masë prej rreth 80 për qind. Europa Lindore, ku bën pjesë edhe Kosova, ka 59 për qind të meshkujve të rritur që pinë duhan, teksa femrat që ka ky rajon pijnë më tepër duhan sesa ato në Azi dhe në rajonin e Pacifikut.
Fakte të tjera: Gjatë shekullit të kaluar, duhani ka shkaktuar vdekjen e rreth 100 milionë njerëzve në botë.
Duhani mbyt një person në çdo dhjetë minuta dhe deri në vitin 2025 llogaritet se do të jetë shkaktar i vdekjes së 10 milionë njerëzve për çdo vit, që i bie 10 fish më tepër se një shekull më parë.
Thithja e tymit të duhanit, e quajtur pirje pasive e duhanit, shkakton rreth 604 mijë vdekje çdo vit, prej të cilëve rreth 165 mijë janë fëmijë.
Në një studim për vitin 2004, nga pirja pasive e duhanit 5.94 milionë fëmijë nën moshën pesëvjeçare janë diagnostikuar me infeksione të traktit të ulët respirator, kurse 1.25 milionë të tjerë kanë fituar astmën.
Femrat shtatzëna që i ekspozohen pirjes pasive të duhanit, kanë 23 për qind më shumë gjasa që të lindin para kohe dhe 13 për qind të kenë defekte gjatë lindjes.
Çdo 30 sekonda, një person në botë vdes nga kanceri i mushkërive.
Më shumë amerikanë çdo vit vdesin nga sëmundjet e lidhura me pirjen e duhanit se që vdesin nga AIDS-i, aksidentet në trafik, vrasjet dhe abuzimi me drogat, të gjitha këto të kombinuara bashkë.
NATYRISHT QË LISTA e mbrapshtë do të mund të vazhdojë edhe me shumë të zeza të tjera të lidhura me pirjen e duhanit. E, këtu jam i vetëdijshëm se duke jetuar në atë që “Scotsman” e ka quajtur si “kryeqyteti europian i pirjes së duhanit”, një shkrim i këtillë mund të ngrysë vetullat e shumicës. Por ka ardhur koha për të thyer tabunë e fundit: joduhanxhinj, ngrihuni për të drejtat tuaja.
E kam seriozisht!











