Mbledhja e grupit të PD-së, Bardhi: Do kërkojmë ngritjen e Komisionit Hetimor për AKSHI-n! Duam vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve

Apr 1, 2026 | 15:30

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, bën me dije se PD do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor parlamentar për funksionimin e AKSHI-t.

bardhi

Në fokus për Bardhin, do të jetë siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave të qytetarëve. Bardhi apelon mazhorancën të tregohet e përgjegjshme dhe të mos pengojë funksionimin e këtij Komisioni.

Vendimi për këtë kërkesë u mor sot, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së në selinë blu.


Postimi i Gazment Bardhit në Facebook:

Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

Sot Grupi Parlamentar ndër të tjera vendosi që të kërkojë ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si dhe për vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve, përfshirë analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

Kontrolli parlamentar është i domosdoshëm për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik. Si një e drejtë kushtetuese e opozitës, apelojmë mazhorancën të tregohet e përgjegjshme dhe të mos pengojë ushtrimin e kësaj përgjegjësie.

© Panorama.al

Te lidhura