Maturantët, kush kopjon në një provim, i humbet të katërt

Mar 7, 2011 | 12:31

“Nëse përjashtoheni nga provimi për kopjim, humbisni këtë provim dhe të drejtën për të marrë pjesë në provimet pasardhëse për sesionin e këtij viti. Këto provime mund t’i jepni vetëm vitin e ardhshëm shkollor”.Kështu ka vendosur Ministria e Arsimit. Ky rregull aplikohet për herë të parë këtë vit, ndaj nxënësit duhet të bëjnë kujdes, pasi kopjet do t’u kushtojnë jo vetëm humbjen e të drejtës për në universitet, por do të marrin nota jokaluese në të 4 provimet e maturës. MASH-i ka nxjerrë së fundimi edhe dy udhëzues për të informuar maturantët për të gjitha procedurat e provimit. Në njërin nga manualet MASH-it ka përbledhur pikat bazë që ndihmojnë në përzgjedhjen e programeve të duhura të studimit në shkollat e larta. Në përmbajtje të këtij materiali janë detajimet përkatëse, që nxënësi duhet të dijë për përzgjedhjen e studimeve të larta, qoftë në institucionet publike, ashtu edhe në ato private. Duke iu referuar këtyre të fundit, nxënësit kanë mundësi të evitojnë programet, të cilat nuk janë të licencuara ose të njohura nga arsimi i lartë në vend. Nëpërmjet këtyre udhëzuesve do të merren informacionet e duhura në lidhje me programet e studimit që ofrohen, titujt e profesoratit të përzgjedhur, ambientet e përshtatshme të studimit, statusin ligjor të shkollës së lartë dhe programit të studimit, tarifat e shkollës dhe kushtet e lidhjes së kontratës ndërmjet studentëve, që do të akomodohen në strukturat private. Çdo maturant, sipas manualit, ka të drejtë që pas përfundimit të të gjitha provimeve, të kërkojë një fotokopje të testeve. Për ta marrë atë, kandidati duhet të bëjë një kërkesë, të cilën do ia drejtojë komisionit të maturës shtetërore. Ndërkaq, në rast se gjatë provimit ai vëren parregullsi, ka të drejtë të informojë administratorin e provimit dhe përfaqësuesin e drejtorive, apo zyrave arsimore.

© Panorama.al

Te lidhura