Një grup specialistësh të Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve kanë nisur përgatitjet për mbledhjet e fondit bazë të pyetjeve të tezave të provimeve të maturës. Ky fond do të përmbajë rreth 500 pyetje për secilën teze. Më pas, në fund të majit, hartuesit e tezave do të ngujohen në AVA dhe do të përzgjidhet testi final. Nga sa pohojnë burime pranë MASH-it, këtë vit pritet të përmirësohet struktura e tezave, duke shkuar drejt tezave integrale.”Kjo do të thotë që në hartimin e pyetjeve ne do të synojmë të nxisim mendimin logjik të nxënësve. Pra, nëse mund të ketë pasur në pjesën e pyetjeve me alternativa të tilla, për të cilat maturantët mund të gjenin përgjigjen e saktë duke bërë “bingo”, do të ketë ndryshime. Kjo me synimin që në këtë grup pyetjesh të kemi përmirësime, në mënyrë që të kuptohet nëse nxënësi ka njohuri për temën për të cilën po testohet, apo jo. Ndërsa për pyetjet me zhvillim është më e lehtë të bëhet vlerësimi nga specialistët, pasi shihet brumi i një nxënësi”, thonë specialistët. Në prill, në të gjitha shkollat e mesme, pritet të nisë testimi paraprak i nxënësve sipas modeleve të testeve të provimeve të maturës. Në këtë mënyrë, mësuesit do të mund të shohin ku është niveli i nxënësve dhe ku duhet të përqendrohen më shumë për t’i ndihmuar të përmirësohen. Në muajin qershor, 40 mijë maturantë do t’i nënshtrohen 4 provimeve të maturës për të nisur më tej garën e universiteteve.











