Matura, nuk shkurtohet kohëzgjatja e provimeve

Mar 19, 2011 | 10:28

Nuk do të ketë shkurtim të kohës në dispozicion të maturantëve për provimet e maturës. Specialistët e Ministrisë së Arsimit kanë vendosur që ajo të jetë e njëjtë me vitin e kaluar. Ndonëse vetë kreu i MASH-it, disa muaj më parë deklaroi se kohëzgjatja e testimit do të rishikohej e do të ulej ,pas konsultimeve, është parë e udhës të mos ketë ndryshime. “Për rrjedhojë, edhe numri i pyetjeve në test do të jetë i njëjtë me atë të vitit të shkuar. Do të ndryshojë vetëm struktura e testeve, pasi synohet që të shkohet drejt tezave integrale, që zhvillojnë mendimin logjik të maturantëve”, thonë specialistët. Për 4 provimet e maturës, gjimnazistët do të kenë në dispozicion përkatësisht 2 orë për lëndët me detyrim dhe 3 orë për ato me zgjedhje. Provimet e detyruara dhe me zgjedhje të maturës i jepen çdo nxënësi që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme dhe ka plotësuar formularin A1. Çdo maturant mbetës, qoftë dhe në një nga provimet e detyruara apo me zgjedhje, ka të drejtën e riprovimit të lëndëve në vitin e ardhshëm shkollor. Ai ka të drejtë të konkurrojë për programet e studimit në arsimin e lartë publik, vetëm pasi të ketë fituar katër provimet. Aktualisht ka përfunduar faza e dorëzimit të formularëve A1 të plotësuar, ku maturantët kanë përzgjedhur dy lëndët me zgjedhje që do të japin si provime në fund të muajit qershor. Lidhur me procesin e pranimeve, ndonëse nuk është vendosur ende përfundimisht për vitin që vjen, kuotat e pranimeve në fakultetet publike do të rriten me 10 për qind. Prioritet do të kenë degët e shkencave teknike, natyrore, gjuhët e huaja, shkencat e jetës, ekonomia dhe administrimi. Një tjetër prioritet në përcaktimin e rritjes së kuotave të pranimit mbetet edhe nevoja që kanë disa programe (më pak të kërkuara nga maturantët) për të shtuar pranimet, kërkesë e cila faktohet edhe nga tregu i punës.

© Panorama.al

Te lidhura