Në prill, në të gjitha shkollat e mesme, do të realizohet paratestimi i maturantëve. Duke u njohur paraprakisht me nivelin e nxënësve, hartuesit e testeve do ta kenë më të lehtë për të zgjedhur pyetjet e duhura, në mënyrë që të mos i rëndojnë më shumë seç duhet. Udhëzimi pritet të dërgohet këto ditë në të gjitha gjimnazet. “Paratestimi do të ndihmojë në orientimin e nxënësve në lidhje me temat dhe llojet e pyetjeve që mund të bien në provimet e Maturës.”, sqarojnë burime pranë agjencisë së vlerësimit dhe arritjeve të nxënësve. Këto vlerësime do të orientojnë edhe ekspertët e testeve në lidhje me shkallën e vështirësisë së pyetjeve që do të bien në tezë. Pyetjet që do të përmbajë testi përfundimtar u përgjigjen tri niveleve të vështirësive. Ato nisin duke filluar nga dijet më të thjeshta, për të përfunduar te pyetjet më të vështira, që janë për nxënësit e shkëlqyer. Është konfirmuar nga Ministria e Arsimit se rreth 80 për qind e pyetjeve të testit final do të merren nga programet orientuese që janë shpërndarë për të gjitha lëndët. Nga sa pohojnë ekspertët e Ministrisë së Arsimit, për herë të parë këtë vit do të shkohet drejt tezave integrale për provimin. “Do të rishikohet struktura e pyetjeve, në mënyrë që të mos ketë pyetje me alternativa shabllone, për të cilat maturantët të zgjedhin përgjigjen e saktë pa u menduar”, thonë specialistët e Ministrisë së Arsimit. Krahasuar me vitet e shkuara, maturantët do të kenë më pak kohë në dispozicion gjatë testimit. Këtë vit është menduar që kohëzgjatja e çdo provimi të jetë 1 orë e 30 minuta. “Por, pavarësisht se koha është më e pakët, mbi bazën e saj do të përshtaten edhe tezat. Prandaj, maturantët të jenë të qetë, pasi do të kenë kohën e mjaftueshme për t’i’u përgjigjur të gjitha pyetjeve”, thonë specialistët e Ministrisë së Arsimit. Pyetjet do të jenë për tre nivele nxënësish. Përkatësisht 40% e tezës për nxënësit e dobët,40% e tezës për nxënësit mesatar dhe të mirë dhe 20% për nxënësit shumë të mirë. “Secila kategori ka pyetjet e veta dhe kjo strukturë bëhet për të ndihmuar maturantët, jo për t’i penguar ata”, thonë specialistët e MASH-it. Për të rritur saktësinë e vlerësimit të testeve, janë marrë masa që çdo përgjigje testi t’i nënshtrohet vlerësimit të dyfishtë. Testet kodifikohen dhe shpallja e rezultateve bëhet jo më vonë se 10 ditë pas çdo provimi të maturës. Maturantët duhet të paraqiten në shkollë një orë përpara fillimit të provimit. Kandidatët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së caktuar, nuk duhet të dalin nga klasa. Maturantët nuk hyjnë në provim, nëse nuk janë në listat e AVA-s apo nëse nuk kanë mjet identifikimi. Ata, gjithashtu, nuk do të lejohen të nisin testimin, në rast se kanë telefon celularë me vete, apo çdo mjet tjetër identifikimi.
Formulari A2,kush e plotëson
Sipas manualit të maturantit, formularin A2 e plotësojnë vetëm nxënësit që kanë kaluar në provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje. “Çdo maturant mbetës (me notë të shkallëzuar më të ulët se 4.51 ose të rrumbullakosur 5, qoftë edhe në një nga provimet), ka të drejtën e riprovimit të lëndës në vitet e ardhshme shkollore”, thuhet në manual. Sipas tij, vetëm pasi të jetë vlerësuar kalues, maturanti pajiset me diplomë dhe mund të konkurrojë për programet e studimit të arsimit të lartë. Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve, do të afishojë në shkolla listat me emrat e të gjithë maturantëve. Secili prej tyre ka një kod identifikimi (ID). “Kontrolloni saktësinë e të dhënave dhe mbani mend kodin tuaj”, këshillojnë specialistët.











