
Shembulli se si miqësia mund t’i rezitsojë kohës. Disa prej tyre nuk janë më, të tjerë emigracioni i ka çuar larg, por ata që kanë mbetur, kanë ende shumë për t’i thënë njëri-tjetrit. Matura e vitit 1975 takohet sërish për të kujtuar kohët e vjetra
Erdhi vërtet! Jo, nuk ishte pushimi veror të cilin e prisnin me padurim, nuk ishin as pushimet e Vitit të Ri dhe as ato të ndonjë feste. Nuk ishin as lotët e dhjetës së parë të gjimnazit apo katrës së padrejtë, po ishte fundi i shkollës. Ndoshta në ato momente kishin menduar se nuk do të ishin kurrë më kaq të bashkuar. Po a do të vijë përsëri shtatori!? Pa dyshim që po, por nuk do t’i gjente të gjithë bashkë, duke iu gëzuar orëve mësimore. Dhe vitet iknin… Dhe një shtator erdhi përsëri… Ndoshta disi i largët, por nuk harroi të mbledhë pas 35 viteve maturën e vitit 1975, atë të ish-bllokmenëve.
Festimi i maturës pas 35 vitesh

Me të njëjtën hare, me po atë fuqi dhe rini në mendjet e tyre, matura e ’75-s rifeston edhe një herë maturën pas 35 vjetësh. E ideuar dhe organizuar kaq bukur nga Merita Llukani dhe Arben Fagu, kjo festë do të mbetet e paharrueshme nga të gjithë pjesëmarrësit. “E gjithë merita i takon Merit dhe Benit…”, thotë Arjana Haxhiu, njëra prej ish-maturanteve. Që festa të mos mbaronte shpejt dhe që ndarja të ishte më e lehtë, matura u organizua në atë mënyrë që të zgjaste sa më shumë. Rreth 60-70 ish-maturantë u mblodhën në një hotel (“Blearti”) në Durrës për të kujtuar edhe një herë kohën e kaluar dhe për të qëndruar aty një natë të tërë. Brenda një nate, ata bënë një rezyme nga gjimnazi deri më sot. “E organizuam në këtë mënyrë: Unë mbarova gjimnazin, vazhdova për këtë degë, jam martuar një apo dy herë etj.. Disa thanë <Pas> për shkak të fatkeqësive që kishin kaluar”, tregon Haxhiu. Jo vetëm kaq, por në mbrëmje ishin të pranishëm edhe disa nga mësuesit e tyre, si: Melo Dodbiba, Parashivi Ylli, Mirvjen Kokona, Vera Ibrahimi. Duke biseduar me njëri-tjetrin, kërcyer apo kujtuar batutat e gjimnazit që në mendjet e tyre ishin kaq të freskëta, nata kaloi për bukuri. Dhe erdhi mëngjesi, i cili i bashkoi për të pirë një kafe së bashku, dhe kështu ndarja ishte më e butë.
Kthimi mbrapa në vite
Ishte viti 1975, kur katër klasa paralele mbyllën maturën në shkollën “Ismail Qemali”. Do të kujtohet si matura e “ish-bllokmenëve”. Pas asaj nate, çdo gjë do niste nga e para. Vitet iknin, jeta rridhte në labirintet e saj, dikush do të shkonte në universitet, një tjetër do të martohej, por ajo që mbetej thellë në kujtesën dhe zemrën e tyre do të ishte miqësia e pashoqë. Në veshin e znj. Arjana ende kumbon zëri i shokëve dhe shoqeve të saj, të qeshurat, zilja e mësimit. Si sekuenca i kujtohen prapësitë, piknikët në Dajt, plazhi, kampi i studentëve apo edhe vizitat tek njëri-tjetri. “Unë mbaj mend që flija shpesh tek Brikena Çabej, dëgjonim muzikë që ishte e ndaluar për atë kohë. Tek Ada (Adelina) Peza mësonim deri vonë”, tregon ajo. Grupet e këngëtarëve që dëgjonim në fshehtësi ishin Beatles, Rolling Stones dhe shumë të tjerë. Të ishe fëmijë i një anëtari të Byrosë politike, i një shkrimtari, piktori apo një qytetari të thjeshtë, kjo nuk sillte asnjë lloj diferencimi. Gjithsecili sillej në mënyrë normale, madje dhe nga mësuesit trajtoheshin po njësoj. “Paraja, veshja apo statusi ka qenë pjesa që nuk na ka shqetësuar asnjëherë”, shprehet Haxhiu.
Ç’ndodhi në vitet 1971-1975?
Agron (Beqir) Balluku, Zana (Sadik) Bekteshi, Sokol (Kiço) Ngjela) ishin vetëm disa nga ata të rinj që do të burgoseshin, apo do të internoheshin. “Ka qenë shumë e tmerrshme, ka qenë dramë më vete, kur shokët na iknin, ata që donim aq shumë iknin një nga një me radhë”. Një bankë që mbetej bosh dhe një mall që rritej. “Mbaj mend kur po ikte Gon Balluku, e takojmë rastësisht në rrugë. Një shoqja ime thërret “Goni”, dhe të tre futemi tek pastiçeri “Peza”. Dhe ndërkohë që rrinin me të i blemë një akullore me ato lekët e pakta që kishim nëpër xhepa. “Dhe ai që thoshte “nuk e du”, nuk e hante, i ngecte në fyt, dhe ne që hanim akullore me lot”. Dhe ndërkohë, ishte e shqetësuar nëse dikush po i shihte që ishin me Agronin. “…e kisha shqetësim se nuk doja që të dëmtoja babën tem”. Ishte e ndaluar të shoqëroheshe me ata që cilësoheshin “armiq të popullit”. Pavarësisht kësaj, miqësia e tyre nuk u dobësua kurrë. Asnjëherë nuk ndalën përpjekjet për të marrë vesh se si ishin shokët e tyre, ku ishin, edhe pse kjo përbente rrezik më vete. Sokol Ngjela u internua në Selenicë të Vlorës. Pas tre vjetësh, ai merr leje dhe rikthehet për pak në Tiranë. Ky ishte një nga momentet e para ku Arjana me shokët e tjerë marrin informacion për Sokolin dhe Agronin. “Kisha disa lekë që prindërit m’i kishin dhënë të haja ndonjë gjë, ia jap Lincit (Sokolit) që t’ia çojë Gonit, por ai na thotë se Goni nuk do lekë, ai do ndonjë shenjë nga ju”. Me guximin e saj, Arjana nga një gazetë që kishte me vete bën një rrip dhe shkruan “Të duam shumë nga…”, duke vendosur emrat e shokëve dhe shoqeve me radhë. Sokoli këtë copë letër e fut nën këpucë nga frika se mos kontrollohej, se të gjithë mund të rrezikonin nga ky veprim. Por miqësia e tyre tejkalonte çdo kufi…
Ajo që nuk shuhet
U harruan vështirësitë e atyre viteve, vuajtjet e internimit as që kujtohen më, por ajo që nuk u zbeh gjatë gjithë këtyre viteve është miqësia. Pluhuri i harresës nuk mund të fshinte dot një shoqëri të gjallë e aktive, që endet akoma edhe sot. Një pjesë e tyre kontaktojnë, flasin, takohen, hanë dreka apo darka bashkë, vizitojnë njëri-tjetrin, ashtu si 35 vite më parë. I drejtohen njëri-tjetrit për probleme, halle, për mirë apo për keq…. “Me burrin dentist kisha kujtuar se kisha pará, por në fakt me sëmundjen e tij kuptova se kisha miq më të vyer se paratë”, shprehet Haxhiu. Në një moment kaq të vështirë, shumë shokë dhe shoqe nga gjimnazi asaj iu gjendën pranë, duke i ofruar ndihmën dhe ngrohtësinë e tyre. “Kur i takoj ata, më duket sikur më ka mbetur biseda përgjysmë, sikur e kam ndërprerë një ditë më përpara. Miqësia është një pasuri që në qoftë se e ke, e ke”. Dhe kjo është një miqësi që u mbijeton viteve dhe kthesave të jetës.
ERALDA ZITO
© Panorama.al











