Masterat, kuotat për të gjitha degët

Sep 15, 2011 | 11:42

Plot 15 284 studentë do të pranohen këtë vit akademik për të ndjekur studimet “Master” në universitetet publike.Qeveria miratoi kuotat dhe tarifat për të gjitha degët. Gazeta publikon të plotë tabelat që do të orientojnë kandidatët. Kështu, për programet e studimit “Master i shkencave”, gjithsej do të pranohen 6676 studentët. Masterat Profesionalë do t’i ndjekin 8898 persona. Masterat Shkencorë do të zgjasin 2 vite akademike. Studentëve do t’u duhen të grumbullojnë në total 120 kredite. Ndërsa për Masterin Profesional duhen 90 kredite. Tarifat variojnë nga 72 000 lekë në 252 000 lekë. Tarifa totale paguhet e njëjtë, si në rastet kur kohëzgjatja normale e programit të studimit është 2 vite akademike, ashtu edhe kur programi i studimit zgjat më shumë, në rastet kur ofrohet me kohë të pjesshme nga IAL publike. “Pagesa e tarifës bëhet me këste të përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë. Pas përfundimit të kohëzgjatjes së paracaktuar të programit të studimit, studentët, të cilët nuk e kanë përfunduar ende programin përkatës, paguajnë vetëm tarifën për kredite të lëndëve të prapambetura”, thuhet në vendimin e qeverisë. Kandidatët që do të fitojnë të drejtën në një program studimi të ciklit të dytë në vitin akademik 2011-2012 dhe që u përkasin shtresave sociale, si: persona që nuk shikojnë dhe që nuk dëgjojnë, invalidë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijët që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijë romë, ballkano-egjiptianë apo fëmijë të policëve dhe ushtarakëve e rënë për shkak të detyrës e të ish-të përndjekurve politikë, paguajnë një kuotë në masën 50% të tarifës së shkollimit. Këtë të drejtë do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave sociale. Shtetasit e huaj që do të vazhdojnë studimet e ciklit të dytë në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen së njëjtës tarifë shkollimi si shtetasit shqiptarë, me përjashtim të rasteve kur, me marrëveshje ndërshtetërore, është parashikuar ndryshe.

Per te pare tabelat per kuotat ne universitete atehere klikoni mbi: PDF

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura