Mashtroi me pasoja të rënda më shumë se një herë, ndalohet dhe vendoset nën arrest shtëpie avokati 69-vjeçar.
Policia e Vlorës njoftoi sot (6 nëntor) se ka ekzekutuar masën e sigurisë së vendosur nga Gjykata, “arrest shtëpie” ndaj D.M., banues në qytetin bregdetar, me detyrë avokat.
Masa është dhënë ditën e djeshme, pas një kërkese të depozituar nga ana e Prokurorisë, për dy vepra penale që dyshohet se mbrojtësi ligjor ka kryer.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Vlorë ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për shtetasin D. M., 69 vjeç, banues në Vlorë, me profesion avokat, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 05.11.2025, i ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, për veprat penale “mashtrimi”, me pasoja të rënda dhe më shumë se një herë, dhe “pastrimi i produkteve të veprave penale ose veprimtarisë kriminale”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Nuk jepen detaje për rastet që avokati ka kryer shkelje dhe as informacion për dosjen e organit të akuzës, i cili po vijon hetimet e mëtejshme.
© Panorama.al












